Arnime rrugësh para zgjedhjeve: 7 bashki do të shpenzojnë 1 mln € për rrugët

Pak muaj para zgjedhjeve, bashkitë e vendit kanë filluar të shpallin prokurime për sistemim rrugësh. Vetëm në javën e fundit janë shpallur 8 tendera nga 7 bashki të vendit, me vlerë totale prej 1 milionë eurosh. Në prokurimet e shpallura nuk mungojnë edhe procedurat e dyshimta.

Krerët e bashkive, kujtohen për të bërë punët që u janë besuar prej më shumë se 3 vitesh.

Kur na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet vendore, shumë bashki të vendit kanë filluar t’i shtojnë prokurimet për asfaltim rrugësh.

Fillimisht ishte bashkia e Tiranës, ajo që nisi projektet e financimeve me të ashtuquajturin asfalt elektoral, por tashmë janë dhe 7 bashki të tjera, që janë përfshirë në ethet e mbledhjes së votave.

Së fundi janë 8 prokurime me vlerë 124 milionë lekë, ose 1 milionë euro që kanë si qëllim restaurimin e rrugëve. Kështu efektin e formulës së Veliajt, e morën edhe Kruja, Bulqiza, Librazhdi, Lushnja, Roskoveci, Vau i Dejës dhe Maliqi.

Por edhe pse këto prokurime lindin pak muaj para zgjedhjeve, nuk mungojnë edhe tenderët e dyshimtë.

Në Bashkinë Bulqizë, tenderi për asfaltimin e rrugës Topojan, që do të shpenzohen 110 mijë euro, është zhvilluar pa garë. Në të ka marrë pjesë vetëm një konkurrent, që është kompania “Selami” e cila automatikisht është shpallur edhe fituese. Kompania fituese ka kërkruar sa 93% të vlerës që ka vënë në dispozicion pushteti vendor, ndërsa afati për realizimin e punës është 45 ditë, pra pak javë para votimeve.

Edhe në prokurimin e Bashkisë Roskovec për asfaltimin e rrugës “Faik Kapo” me vlerë 27 mijë euro, procedura është zhvilluar me negocim, pra pa shpallje publike të tenderit. Fitues është shpallur kompania “AR dhe ED”, e cila ka kërkuar sa 98.5% të vlerës së tenderit për të kryer punën.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET