A do mund ta lehtësojë Europa problemin me emigrantët?

A do mund ta lehtësojë Europa problemin me emigrantët?

Një numër i jashtëzakonshëm institucionesh duhet të punojnë së bashku, shkruan The Economist

Ata dalin të lodhur nga autobusi dhe hyjnë në qendrën e përkohshme të rrethuar në El Hierro, një nga Ishujt Kanarie. Policia spanjolle regjistron secilin, duke lexuar numrin e shënuar në një rrip dore që ua dha në port.

Policët thërrasin: “U8, femër e rritur! U3, mashkull i mitur!” Më pas vijnë burrat, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese: nga 145 mbërritjet me varkën e asaj dite, vetëm tetë janë gra dhe tre fëmijë.

Pothuajse të gjithë janë afrikanë nënsaharianë.

Kalimi Ne Ishull 1146
Kalimi Ne Ishull 1146

Ata janë me fat. Askush nuk është i sëmurë rëndë; askush nuk ka lindur në det, siç kishte ndodhur një javë më parë dhe të gjithë mbijetuan.

Sipas OJQ-së Caminando Fronteras, këtë vit, më shumë se 5,000 emigrantë vdiqën duke u përpjekur të mbërrijnë në Spanjë, kryesisht gjatë rrugës nga Afrika Perëndimore për në Ishujt Kanarie. Ndërkohë, rreth 20,000 njerëz mbërritën në gjysmën e parë të vitit 2024.

Kjo e bën rrugën e Afrikës Perëndimore një vendkalim gjithnjë e më të përdorur. Mbërritjet në mbarë BE-në ishin rreth 94,000, rreth një të tretën më pak se vitin e kaluar.

Varkat lundrojnë drejt e në Perëndim nga Afrika (zakonisht nga Mauritania), për të shmangur kapjen nga forcat bregdetare afrikane. Kjo e zgjat udhëtimin e tyre.

Kur i afrohen Europës, ishulli më i afërt është El Heirro, ishulli më i vogël dhe më perëndimor i grupit të Ishujve Kanarie të Spanjës. Ai ka vetëm 7000 banorë.

El Hierro është përgjigjur me dinjitet. Pas disa ditësh, emigrantët u zhvendosën në një manastir të boshatisur, nga i cili ishin të lirë të largoheshin.

Shumë të mitur të pashoqëruar strehohen me familje dhe shkojnë në shkollat lokale. Kreu i qeverisë së ishullit, Alpidio Armas, thotë se gjendja krijon pak polemika.

Banorët e ishullit kanë përvojë të gjatë me emigracionin, sidomos nga Amerika Latine. Popullsia e ishujve po plaket dhe bujqësia, turizmi dhe ndërtimi kanë nevojë për punëtorë. Zoti Armas do të donte që më shumë emigrantë të qëndronin.

Shkaku I Rruges 1146
Shkaku I Rruges 1146

Por shumica e të rriturve dërgohen me shpejtësi në Tenerife. Nga atje, shumë prej tyre do të zhvendosen në Spanjën kontinentale, ku janë shumë më pak të mirëpritur.

Vox, një parti e djathtë, dha dorëheqjen nga disa qeveri të koalicionit rajonal në korrik, në shenjë proteste ndaj planeve për të shpërndarë azilkërkuesit nëpër të gjithë vendin.

Anijet që mbërrijnë në vende si Ishujt Kanarie në Spanjë dhe Lampedusa në Itali, janë forma e emigrimit të paligjshëm që tërheq më tepër vëmendje në Europë.

Por në fakt, shumica e emigrantëve të parregullt në Bashkimin Europian, vijnë në rrugë ajrore (duke hyrë në mënyrë të ligjshme dhe pastaj qëndrojnë më gjatë sesa e lejon viza), ose në rrugë tokësore.

Që nga vitet e krizës emigratore 2015-16, kur mbërritën mbi një milion emigrantë të parregullt, BE-ja nuk ka arritur të gjejë dot një përgjigje të përbashkët.

Tani, më në fund ka një marrëveshje. Në maj, blloku miratoi një “pakt emigrimi” prej dhjetë ligjesh. Margaritis Schinas, nënkryetar i Komisionit Europian që ndihmoi në hartimin e paktit, thotë se ky pakt dëshmon se Europa mund të “udhëheqë nga qendra”.

Ai bën shaka duke thënë se “u inkurajua” nga fakti që si të djathtët (Matteo Salvini i Italisë) dhe të majtët (Jean-Luc Mélenchon i Francës) e kundërshtuan atë.

Marrëveshja hyn në fuqi në qershor 2026. Ajo do të forcojë shumë sistemin e të dhënave për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe regjistrimin e emigrantëve.

Ky sistem njihet me emrin Eurodac. Ideja është që të gjurmohen ardhjet e përsëritura dhe të ndalohen njerëzit që shkojnë në vende të tjera të BE-së (tashmë kjo është e ndaluar në teori, por shpesh shpërfillet nga vendet e mbërritjes).

Një tjetër risi është një trillim ligjor sipas të cilit, ata që vijnë në bllok, nuk kanë hyrë ende tamam në BE. Kjo lejon zbatimin e “procedurës kufitare”, një gur themeli i marrëveshjes.

Emigrantët që mendohet se përbëjnë një rrezik sigurie, ose që vijnë nga një shtet relativisht i sigurt (siç quhet një vend nga i cili kanë marrë azil më pak se 20% e emigrantëve të mëparshëm), mund të dërgohen në atdhe me një procedurë të përshpejtuar.

Në këtë grup bëjnë pjesë edhe shtete si Senegali dhe Mauritania, që janë shumë të varfra, por jo në luftë. Kritikët thonë se procedura kufitare nuk do të jetë e suksesshme.

Duke qenë se e drejta për të kërkuar azil është pjesë e së drejtës ndërkombëtare, kjo dispozitë ndoshta do të përballet me sfida ligjore.

Në vitin 2022, rreth gjysmës së ardhjeve të parregullta, ju garantua një formë mbrojtjeje në Europë. Të ardhurit nga vende si Mali ose Sudani, që zakonisht kanë sukses në kërkesat e azilit, do të kenë ende qasje në procedurën e plotë dhe të gjatë të azilit, duke përfshirë edhe apelimet.

Po kështu edhe fëmijët e pashoqëruar dhe të sëmurët mendorë. Harmonizimi i kritereve të azilit në 27 anëtarët e BE-së, synon të barazojë shkallët e suksesit.

(Tani në BE në tërësi, 62% e afganëve marrin azil; ndërsa në Rumani marrin azil vetëm 28% e tyre).

Për më tepër, një “mekanizëm solidariteti” do t’u lejojë vendeve kufitare që të zhvendosin në vende të tjera të BE-në, një total prej 30,000 ose më shumë azilkërkuesish në vit, sipas kuotave.

Shtetet që nuk pranojnë të marrin pjesën e tyre të azilkërkuesve, mund të paguajnë një tarifë prej 20,000 eurosh (21,700 dollarë) për kokë.

Por shtetet mund të shpallin një “krizë” emigracioni dhe të pezullojnë disa nga përgjegjësitë e tyre për ndarjen e barrës (edhe pse institucionet e BE-së duhet të bien dakord më pas).

Kjo mund të abuzohet nga shtete si Hungaria që kundërshtojnë paktin e emigracionit.

Pakti nuk do të funksionojë dot pa diplomaci. Europianët kanë bërë tashmë marrëveshje për të frenuar migracionin me shtetet tranzit si Egjipti, Libia, Mauritania, Maroku, Tunizia dhe Turqia.

Këto ndonjëherë çojnë në zemërim: në maj, disa gazeta raportuan se emigrantët në Mauritani, Tunizi dhe Marok po merreshin dhe po braktiseshin në shkretëtirë, duke përdorur automjete të dhuruara nga BE-ja.

Por ky lloj i ashpër i zbatimit të kufijve duket se do të vazhdojë. Këtë vit, Italia arriti një marrëveshje me Shqipërinë për të përdorur Shqipërinë si një lloj qendre të përpunimit të kërkesave për azil.

Pjesa më e vështirë mund të jetë lidhja e marrëveshjeve me vendet nga vijnë emigrantët. Shtetet e BE-së duan që vendet e origjinës të ndalojnë largimin e emigrantëve dhe kanë arritur marrëveshje me disa prej tyre.

Por “procedura e re kufitare” mbështetet në hamendësimin se ata do të marrin përsëri shtetasit e tyre. Këto vende shpesh nuk pranojnë dhe nuk ka asnjë mënyrë për t’i detyruar.

Një “krizë” e mëparshme anijesh nga Afrika Perëndimore në Ishujt Kanarie në vitin 2006, tregon se çfarë mund të jetë e mundur.

Spanja lidhi marrëveshje me një sërë vendesh të origjinës, duke punuar me forcat lokale të sigurisë, duke rritur ndihmën për zhvillim dhe duke lejuar më shumë emigrim të ligjshëm.

Bernardino León, ish-zëvendësministri i Jashtëm i Spanjës, thotë se vendet e origjinës nuk duan të bëjnë punën e europianëve pa shpërblime: “Duhet t’i ndihmoni që ata t’u shesin diçka njerëzve të tyre”.

Pakti i ri i emigracionit do të kërkojë që një numër i jashtëzakonshëm institucionesh të punojnë së bashku. Qeveritë kanë nevojë për qasje të koordinuara për emigracionin, duke përfshirë ministritë e brendshme, të jashtme, të punës, të sigurimeve shoqërore, të zhvillimit dhe të tjera.

Të 27 qeveritë e BE-së duhet të kenë marrëdhënie të mira me njëra-tjetrën.

Dhe duhet bashkëpunuar me vendet e origjinës dhe tranzitit. Europa më në fund ka krijuar diçka që i përngjan një sistemi të përbashkët të emigrimit. Tani duhet ta bëjë të funksionojë. /Marrë nga Monitor/

EMISIONET