70% e pensionistëve në varfëri/ Ekspertët: Aksioni anti-informalitet nuk mjafton për rritjen e pensioneve
Shqipëria është vendi që ka nivelin më të ulët të pensionit në të gjithë Europën, madje më të ulët dhe se Bosnjë Hercegovina e cila ka një ekonomi më të vogël se e jona.
Pensioni mesatar në Bosnjë është 305 euro, në Serbi 390 euro, në Maqedoninë e Veriut 325 euro dhe 300 euro në Malin e Zi. Edhe Kosova që është një shtet më i ri se Shqipëria ka pensione më të larta, pensioni social atje është 120 euro kundrejt 85 euro që është në Shqipëri dhe me rritjen e fundit pensioni mesatar u bë 287 euro.
“Ndryshimet që u bënë në buxhet përfshijnë më shumë mundësinë për dhënien e një bonusi shpërblimi për pensionistët dhe nuk ka politika reale për rritjen e pensioneve. Dhe për vitin e ardhshëm e njëjta politikë shihet se do të ketë me pensionet, vetëm indeksim”, thotë eksperti i qendrës “Altax” Eduart Gjokutaj.
Politikat e rritjes së pensioneve në Shqipëri janë mjaftuar me indeksimin e rritjes së çmimeve të shportës së mallrave për pensionistët, por nuk kanë patur vitet e fundit politika për rritje reale.
Gjatë viteve 2005-2013 pensioni mesatar në qytet është rritur nga 8383 lekë në 14.076 lekë. Në 8 vjet pensioni mesatar është shtuar me 5.693 ose 68%.
Mesatarisht rritja vjetore ka qenë 711 lekë në vit me një normë 8.4%.
Po të krahasojmë rritjen e pensioneve në qytet përgjatë dekadës së fundit 2013-2023 do të konstatojmë se pensioni mesatar në qytet ka shkuar në 18,341 lekë duke u rritur me 3.823 lekë ose 26.3%. Çdo vit pensioni në qytet është rritur me 382 lekë në vit ose dy herë më pak se në të shkuarën.
“Ka të bëjë me kulturën që ka shtresa e pensionistëve që janë të konsoliduar me bindjen se politika nuk është instrumenti që të ndryshon jetën dhe janë stoikë te vota e tyre. Nuk e ndjejnë që ai që drejton shtetin ka në dorë jetën e tyre dhe që me votë ata mund të sjellin ndryshim. Por pavarësisht të gjithave, situata me pensionet duhet të ndryshojë dhe duhet të rriten!”, thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Gjatë periudhës 2005-2013 pensionet në fshat u rritën me 4.647 lekë në total ose 165%. Rritja mesatare vjetore ishte 580 lekë në vit dhe pensioni për këtë kategori shkoi nga 2.818 lekë në muaj në 7.465 lekë.
Në vitet 2013-2023 pensioni në fshat është rritur me 3.226 lekë ose 41%, 4 herë më pak se në të shkuarën.
Pensioni mesatar në Shqipëri është 14 500 lekë në muaj: 18 mijë lekë për qytetin dhe 11 mijë lekë për fshatin. Mesatarisht një pensionist sot jeton me 480 lekë në ditë, ku nëse marrim si referencë llogaritjen e varfërisë me indeksin e Bankës Botërore për personat që kanë të ardhura nën 5.5 dollarë në ditë, automatikisht ata do të klasifikohen të varfër.
Qeveria ka lajmëruar se për të mundësuar rritjen e pensioneve nuk do të bëjë politika të reja tatimore, por do të nisë një aksion antinformalitet në tregun e punës për të kontrolluar çdo biznes që nuk deklaron punonjësit dhe vlerën reale të pagave.
Por më shumë se problemet që janë në informalitetin në tregun e punës, plaga reale për funksionimin e skemës së pensioneve mbetet fshati dhe ata që konsiderohen të vetëpunësuar në sektorin bujqësor.
Janë mijëra të vetëpunësuar në sektorin bujqësor që nuk paguajnë asnjë kontribut.
Aktualisht numri i të punësuarve formalë sipas të dhënave të administratës tatimore është 731 mijë, nga 480 mijë që ishte në vitin 2013, por sërish të ardhurat nga fondi i sigurimeve nuk arrijnë të përballojnë dhënien e pensioneve.
Çelësi më shumë se informaliteti duket se lidhet me largimin e të rinjve dhe faktorë të tjerë jashtë politikave të administrimit fiskal që kanë të bëjnë me mirëqeverisjen.
“Duhet të merret në konsideratë se kush është problemi më i madh që skema e pensioneve është defiçitare, është faji i bizneseve që nuk deklarojnë pagat reale? Dhe në këto kohë bizneset kanë dhe problematika të tjera sidomos bizneset prodhuese të industrisë fason që janë drejt falimentit. Dhe kjo nuk bëhet me aksione, por me vullnet dhe me plan të vazhdueshëm”, thotë eksperti i qendrës “Altax” Eduart Gjokutaj.
Ndër vite qeveria e ka parë luftën me informalitetin si një aksion sezonal dhe jo si një angazhim të përhershëm në axhendën e saj.
Qasja e saj ndaj biznesit ka ndryshuar brenda disa muajsh me 180 gradë, siç ishte rasti i aksionit të parë antinformalitet në vitin 2015, masat e ashpra të të cilit çuan në pranga qindra persona dhe vendosën miliona euro gjoba, por që ligjet më pas u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese. Aksioni nisi dhe në tregun e karburanteve, për tu shuar shumë shpejt, ose në verën e vitit 2018 dhe në vitit 2019. Por sa herë që kontrollet përfundonin, qeveria brenda një harku të shkurtër kohor niste marrjen e masave kontradiktore përmes amnistive, fshirjes së borxheve apo uljes së barrës fiskale për bizneset.
Aksioni i fundit në këtë fushë u lajmërua dy vjet më parë dhe kishte në fokus pagesën e tatimit mbi të ardhurat personale dhe të deklarimit të pagës. Njësia Antinformalitet e ngritur nga administrate tatimore do të identifikonte personat e pasur në bazë të aseteve dhe jetës së tyre dhe do të verifikonte nëse paguanin tatime të plota në përputhje me të ardhurat që kishin, proces që do të ndihmohej me të dhëna dhe nga Agjencia e Inteligjencës Financiare. Sektorët e identifikuar me riskun më të lartë ishin të punësuarit në tregti, tregun e sigurimeve, ndërtim dhe media. Kontrollet edhe këtë herë duket se do të jenë në të njëjtët sektorë.
“Nuk pres të kemi përfitim nga aksioni antinformalitet, kjo po bëhet që të nisin të vihen gjoba për bizneset dhe kur të vijnë zgjedhjet të nisin premtimet për fshirje ose falje të gjobave dhe përdoret për forcë elektorale. Po të shohësh dhe treguesit e buxhetit nuk parashikojnë fonde të larta për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, madje rritja e tyre është më e ulët se vitet e tjera”, thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Por më shumë se kontrollet për të parë deklarimin e nivelit të pagave dhe të numrit të punonjësve, ekspertët këshillojnë që në fokus të jenë biznese që janë tërësisht informalë, siç është sektori i turizmit dhe të një pjese të shërbimeve, sipërmarrje që punojnë në të zezë në fushën call center apo ndërmarrje që pastrojnë para, pasi aty është dhe pesha më e madhe se ku mund të mblidhen taksat. Ekonomia e zezë e parave të pista jo vetëm që nuk ka ndihmuar në zhvillimin e vendit, por ka sjellë efekt të kundërt duke varfëruar më shumë shtresat në nevojë.
Një pjesë e mirë e pensionistëve ndihmohen nga fëmijët emigrantë dhe mbiçmimi i monedhës kombëtare kundrejt valutave ka dobësuar vlerën e remitancave që këto familje marrin. Më parë me 100 euro një pensionist blinte më shumë se sot, ndërsa një pjesë e produkteve janë shtrenjtuar si pasojë e ekonomisë së zezë.
Por sa seriozisht është marrë këtë herë lufta antinformalitet dhe sa para parashikohet të mblidhen në buxhet si rezultat i saj?
Në tabelat e projektbuxhetit të vitit 2025 të dërguara në Kuvendin e Shqipërisë, të ardhurat nga sigurimet shoqërore priten të shtohen vitin e ardhshëm me 89 milion euro.
Për këtë vit parashikimi për rritjen e të ardhurave nga kontributet shoqërore është për 127 milion euro më shumë krahasuar me vitin e shkuar.
Gjatë vitit 2023 të ardhurat nga sigurimet shoqërore u shtuan me 110 milion euro.
Pra, qeveria parashikon që rritja e kontributeve të jetë me ritëm më të ulët se gjatë 3 vitet e fundit, çka i bën skeptikë dhe ekspertët më optimistë për rezultatet që pritet të ketë aksioni i paralajmëruar./Emisioni “Kronos”