Profesor Edvin Priftin e njoh që nga vitet e mia studentore, si një prej mjekëve më premtues, i sapo kthyer nga Italia, me një formim të shkëlqyer mjekësor, intelektual dhe njerëzor. I gjendur në një sistem të ri shëndetësor si i joni, me probleme pa fund dhe i lënë pothuaj komplet pas dore gjatë demokracisë, nuk u largua serish por qëndroi me dëshiren e mirë, vullnetin apo edhe ndoshta për sfiden e tij personale se këtu shumë gjëra duheshin ndryshuar apo reformuar. Faktet janë aty: qindra shkrime,  intervista dhe  debate në rrafshin e jetës publike. Nje zë i shtuar dhe me kulturë të gjerë në radhën e intelektualëve të botës shqiptare.

Si mjek, për ata që ndoshta e lexojnë dhe janë jashtë fushës së mjekësisë,  Dr. Edvin Prifti, në fushën e kardiokirurgjisë shqiptare, është simboli i inovacionit, reformimit dhe modernizimit. Shërbimi i kardiokirurgjisë  në Shqipëri sot është i të njëjtit nivel me vendet e rajonit apo i krahasueshëm të themi vetëm falë përkushtimit, investimit intelektual te Dr. Edvinit dhe ekipit të tij. Vetëm me një të kërkuar në internet sheh me qindra publikime, të gjitha kërkime shkencore nga Tirana, të cilat mbajnë emrin e tij. Madje, në librat e kardiokirurgjisë sot është futur edhe nje teknikë e re për korrigjimin e një difekti në zemër që mban emërtesën”Teknika e Tiranës“. Një mjek që në terrin e pamundësisë edhe errësirës ishte dhe është një dritë e spikatur e mjekësisë shqiptare pavarësisht historisë së SPAKU-t.

Për të ardhur te historia e lëmshit të madh të korrupsionit shqiptar, që ka zaptuar thuajse çdo qelizë të jetës, e që s‘mund t’i shpëtonte as Dr. Edvin Prifti. Një sulm i tmerrshëm në çdo media apo portal, gati në histeri, saqë po harrohet madje çeshtja esenciale, ajo e gjykatëses që lironte kriminelët nga burgu, duke barazuar, apo më keq, duke bëre më fajtor një njeri që shpëton jetën se ai që indirekt ta merr. Ky është në fakt paradoksi shqiptar dhe problemi që nxorri kjo histori. Në fakt, kjo e metë e sistemit të pagesës së doktorit i ka rrënjët më të thella. Ky sistem, në fakt, është vetërregulluar në këtë formë për hir të së vertetës. Në të gjithë perëndimin njerëzit paguajnë sigurime shëndetësore, që janë realisht shumë të shtrenjta dhe jo gjithmonë i mbulojnë të gjitha shpenzimet e operacioneve apo shërbimeve të caktuara përkatëse.

(Vetë, edhe pse mjek, paguaj çdo muaj 680€ pa qenë asnjë ditë në spital si pacient).

Në botën kapitaliste nuk ka shërbëtorë pa pagesë, aq më tepër kur bëhet fjalë për shëndetin, që është realisht gjëja më e çmuar që kemi dhe shërbimi i cili merret logjikisht më i shtrenjti.

Në Shqipëri, për fat të keq, shërbimi i sigurimit shëndetësor është jo funksional. Investimet në sistemin shëndetësor në raport me vendet e tjera prej nga marrim shembull janë realisht shumë të ulta dhe mjekësia në tërësi ka bërë hapa të mëdha që e kanë lënë sistemin tonë të duket gati primitiv . Kësisoj, njerëzit e kanë zgjidhur këtë të metë  të sistemit duke paguar mjekët nën dore edhe pa ua u kërkuar  fare këta të fundit. Këtë e dinë të gjithë edhe pse të gjithë bëjnë sikur s’e dinë, fatkeqësisht.

Njerëzit, nga natyra, qoftë këta shqiptarë apo nacionalitet tjetër, kërkojnë që për cdo problem që i shfaqet në rrugën e jetës ta zgjidhin sa më mirë dhe sa me shpejt, duke gjetur në rastin tonë gjetur këtë mënyrë që iu duket më efikase në planin personal por që ka kosto të larta në planin shoqëror.

Këtë sistem instiktual njerëzor, në rastin e një vendi normal, e rregullon shteti si institucion, që për fatin e keq, si të njerëzve të thjeshtë por edhe mjekëve në këtë rast, nuk ia ka dal dot për 20 vjet me radhë.

Mjekët shqiptarë janë të paragjykuar që në ditën e parë pas diplomimit. Të varfër prej pagesave qesharake dhe gjithmonë nën frikën dhe kërcënimin e ligjit. Jo për të përligjur këtë akt, që në të vërtetë është i ulët, si për atë që jep para nën dorë por edhe më dinjitet-thyes për mjekun që i merr. Por mjekët në të gjithë botën janë shtresa më e mirëpaguar e shoqërisë. Vite investimi, sakrificash, trysnie… si dhe orë të gjata pune. Kanë edhe ato nje kosto shumë të madhe për një individ dhe familjen e tij. Prandaj, mjekët nuk duhen pare si fajtorët e vetëm që duhen kryqëzuar, por si viktimat e përbashkëta të këtij sistemi të krijuar prej vitesh. Për të gjithë ata që rrinë e bëjnë “sehir“, e ndërkohë vjedhin të qetë përdite paratë që duhet të investohen për shëndetin dhe shërbimet ndaj qytetarëve të cilët përfaqësojnë, kjo histori nuk duhet të jetë një show që tërheq vëmendjen nga problemet e tjera, por një kambanë alarmi. Sepse një gje është e sigurt: Dr. Edvin Prifti jashtë mjekësisë shqiptare do ju kushtojë të gjithëve shumë herë më shumë si në planin mjekësor apo edhe atë ekonomik.

*Opinion Jonel Ngjelina, mjek në Gjermani