Kryeministri Rama ka zgjedhur rrugën e diversionit për të sulmuar kundërsharin politik me të cilin do të përballet në zgjedhjet e 25 prillin.

Diskurin e tij politik e ka ndërtuar mbi akuzat e forta ndaj presidentit Meta dhe ish-kryeministrit Berisha, që sipas tij duan të zhbëjnë reformën në drejtësi.

Akuzat nuk i kursen as ndaj Kryemadhit, të cilën thotë se qytetarët me votën e tyre duhet ta çojnë aty ku e meriton,  te pakica e pakicës.

Ndërkohë kreun e PD-së Basha nuk e sheh të dëmshëm as për drejtësinë dhe as demokracinë.

Sipas Ramës, “duke qenë një politikan i dobët pa karakterin e një lideri është një kukull në duart e tre xhagajdurëve që mund ta mbyllin në shtëpi me duart e veta”.

Edi Rama: Ilir Meta ua ka thënë hapur se 25 prilli do të jetë një referendum që do të përbysë reformën në drejtësi. Ndërkohë që u përbetua se do të japë dorëheqjen si President dhe do të marrë udhëheqjen e opozitës nëse ne fitojmë zgjedhjet sepse nuk ka respekt për detyrën më të lartë të shtetit, nderin më të madh që një popull, një vend, një shtet mund ti bëjë një individi të vetëm. Nuk ka respekt as për Kushtetutën dhe për krejt njerëzit e këtij vendi por ka vetëm hallin, që tanimë e kanë marr vesh edhe gurët, edhe drurët e këtij vendi. Bukuri, le të shohim çfarë do të zgjedhin shqiptarët në referendumin e tij të 25 prillit, drejtësinë apo Ilir Metën. E doni më troç se kaq dhe më të dukshëm se kaq para syve tuaj armikun e betuar të gjithë kësaj ëndrre dhe kësaj pune të madhe ku bashkë me ne të gjithë, shqiptarët që e duan aq shumë reformin e drejtësisë, janë angazhuar dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, SHBA dhe BE.

Kush voton ata që janë përballë nesh investon direkt kundër reformës në drejtësi, ndërsa kush nuk del fare në votim ua lë në dorë të tjerëve zgjedhjen e vet për drejtësinë. A mund të delegohet te dikush tjetër e drejta jote për drejtësi dhe a mund të abstenohet kjo e drejtë sot kur luftohet në radhë të parë për të garantuar të ardhmen e drejtësisë falë shkallimit të Ilir Metës. 25 prilli është bërë një rrugë dhe katër punë. E çfarë punësh, do të votohet për ti hapur rrugën më tej drejtësisë në këtë vend duke larguar nga kreu i vendit Ilir Metën, dënuar përfundimisht në ekzilin e tij dixhital Sali Berishën dhe dërguar Monika Kryemadhin aty ku e ka vendin, te pakica e pakicës. Është dhe Lulzim Basha. Basha nuk është rrezik në vetëvete as për demokercinë dhe as për drejtësinë. Por fatkeqësisht duke qenë një politikan i dobët pa karakterin e një lideri është një kukull në duart e tre xhagajdurëve që mund ta mbyllin Lulin në shtëpi me duart e vet Lulit për 30 sekonda.

 A keni parë koalicion me qesharak sesa një koalicion paszgjedhor i nënshkruar para zgjedhjeve mes dy partive që në zgjedhje hyjnë veç e veç. Është një koalicion tragji-komik i imponuar nga Sali dhe Iliri për ta lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës që të mos guxojë të ikë i shkreti duke u lënë ata vetëm përballë reformës në drejtësi dhe pasoja krejt të mundshme të drejtësisë për ta.

Dhe kur Ilir Meta thotë nëse fiton Edi Rama unë do të udhëheq opozitën, do të thotë unë do të ngre barrikadën me PD-LSI-KÇK në parlament për ta bllokuar reformën në drejtësi.

Lulzim Basha është vetëm administratori i një shoqërie aksionere që nuk merr dot vendime për të ardhmen e shoqërisë. Si mund të identifikohen demokratët e ndershëm dhe të sinqertë të këtij vendi që kanë të drejtën e Zotit të mos duan të na shohin dhe të më shohin mua me sy, me një PD që është mbledhur kuçi dhe maçi jo për të përmbysur qeverinë që ka kusuret e saj por drejtësinë e re pa kusure që po ndërtojmë hap pas hapi. Kam shumë besim që këto forca kundër reformës nuk do t’ja dalin sepse halli i tyre nuk është halli juaj.