Një shqiptar me precedent penal është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e të premtes në Bruksel.
Ardit Spahiu i njohur dhe me ermin Arjan u ekzekutua me 8 plumba. Policia belge ka konfirmuar se viktima i cili qëndronte ilegalisht u qëllua me 8 plumba në zonën Molenbeek dhe ndërroi jetë në vend.
Shqiptari është i datëlindjes 1982 dhe është identifikuar me emrin Ardit Spahiu nga Elbasani.
Sarah Durant, zëdhënëse e zyrës së prokurorit publik të Brukselit ka thënë se ekipet hetimore shkuan në vendin e ngjarjes bashkë me ekspertë të balistikës dhe një mjek ligjor ndërsa policia federale po ekzaminon në laborator të gjitha provat e mbledhura në vendin e ngjarjes.
38-vjeçari mësohet se ka qenë i arrestuar në vitin 2010 në lidhje me vrasjen e 52-vjeccarit Gëzim Alikaj në Elbasan, por më pas u la i lirë. Për shkak të precedentëve penalë të viktimës dyshohet se vrasja ka ndodhur pikërisht për hakmarrje ose për larje hesapesh.
Spahiu është vëllai i kunatit të Erion Alibej, i arrestuar nga prokuroria e Elbasanit si person i dyshuar për urdhërimin e organizimit të dy vrasjeve.
Erion Alibej, organizatori i dy vrasjeve që tronditën qytetin e Elbasanit, më 20 dhe 29 korrik, ka porositur vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe shokut të tij, Regis Runajt në Elbasan. Uniformat blu e arrestuan më 18 shtator në Elbasan, ndërsa për të u ngritën dyshime dhe për porositjen e vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të shumë kërkuarit Talo Çela.