Mbrëmjen e djeshme në emisionin  “Tempora” në RTV Ora ka ardhur ekskluzivisht dëshmia e Genc Xhabija i cili në muajin prill të këtij viti humbi të afërmin e tij për shkak të Covid-19.

Xhabija tregon me zë se çfarë ndodhi në dy javë në spitalin covid

“Quhem Genc Xhabija, jetoj në Paris. Dhëndri im vdiq ashtu si dhe ju e keni në çertefikatën e vdekjes me arrest kardiak. Ai vdiq në spitalin infektiv më 4 prill të 2020 pasi qëndroi dy javë në spital, i kaloi të gjitha etapat e sëmundjes fatkeqësisht deri në reanimacion  por nuk arriti të fitojë. Shkuam në spital gjendja ishte herë mirë herë keq deri sa dhëndri vdiq.

E pranuam vdekjen sepse jemi të pafuqishëm. Gjatë kohës që kanë qenë në spital motra ime i dha 300 mijë lekë të vjetra ditën që shkoi në spital dhe asnjë lekë më pas nuk u kthye mbrapa.”

Xhabija tregon dhe vendimin e bashkisë për të mos mbështetur faturën e ceremonisë mortore pasi vdekja kishte ndodhur para se këshilli bashkiak të merrte vendimin.

“Motrës time dhe mbesës që kanë qenë 4 në shtëpi u është bërë tamponi dhe kanë dalë negative.  Më vonë morëm vesh që Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë një vendim për rimbursimin për kthimin e lekëve të këtyre varrimeve.

Por, ne si familje u interesuam pranë Bashkisë së Tiranës na thanë jo sepse Selimi ka vdekur para se të merret vendimi këshillit bashkiak, pra duhet të zgjedhim dhe kohën kur duhet të vdesim që shteti të të ndihmojë”