Një aksident me pasojë vdekjen e një personi u regjistrua mbrëmjen e të dielës, 24 janar në aksin Pogradec-Korçë, pranë fshatit Buçimas.

Viktima është identifikuar si shtetasi Pajtim Gjyli. Ai po lëvizte në këmbë në këtë aks rrugor kur është përplasur nga një automjet  tip “Mercedes Benz”.

Pas aksidentit drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja, por u kap më vonë nga policia teksa po lëvizte drejt Korçës.

“Identifikohet dhe arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit i cili mbrëmjen e djeshme, pasi aksidentoi me pasojë vdekjen një shtetas në fshatin Buçimas, u largua nga vendngjarja.Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Korçë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 24.01.2021, në fshatin Buçimas, Pogradec, ku u aksidentua me pasojë vdekje këmbësori P. Gj., bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar së bashku me mjetin tip “Benz”, të cilin ky shtetas drejtonte” thuhet në komunikatën e policisë.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, shtetasi E. J., 22 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.