Ashtu sikundër sinjalizoi më herët gjatë ditës Presidenti Ilir Meta, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka marrë në shqyrtim vetëm katër kandidatë, edhe pse për vakancën e Presidentit të shpallur më 22 nëntor 2019 janë 10 emra.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi njofton se pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:

A. Lejimin e kandidimit të kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese:

1.Altin Binaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

B. Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë:

1.Artan Spahiu, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

2.Dedë Kasneci , për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

C. Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për shkak të tërheqjes së tij nga kandidimi, të kandidatit;

1.Gentian Mete , për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

Sipas KE, kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi gjithashtu për të njoftuar organet e emërtesës, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, për rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Behet fjalë për vakancën e parakohshme, te rishshpallur nga Presidenti i Republikës në datë 27.09.2019 dhe vakancën e parakohshme të rishpallur nga Kuvendi i Republikës në datë 21.08.2019.

Anëtarët e KED u shprehën se nuk hyn në veprimtarinë dhe kompetencën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vendimmarrja e kërkuar me anë të “Njoftim Qëndrimi“ të përcjellë nga Z. Ardian Dvorani.