Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i ka bërë thirrje Edi Ramës që të lirojë 26 anëtarët e shoqatës Çamëria që u arrestuan gjatë protestës së sotme.

PDIU e ka krahasuar Ramën me Kalin e Trojës, teksa shton se ” Shqiptarët e Çamërisë kanë 76- vjet që protestojnë ndaj genocidit më të ashpër në ballkan, ku forcat Zerviste vranë dhe masakrauan një popullsi të tërë.

Absurdi i sjelljes së policisë politike për të ndaluar protestën e sotme, na kujton dhunën e ushtruar të vitit 2004, kur burra pleq u gjakosën në dyert e parlamentit shqiptar, për rezolutën e çështjes çame.

Ne nuk na ndal dot askush në betejën tonë që shteti shqiptar të sillet me Greqinë me dinjitet, reciprocitet dhe dije”.

Më herët policia procedoi 26 persona nga protesa e zhvilluar në lidhje me vizitën e ministrit të Jashtëm grek në Shqipëri Nikos Dentias. Ata u akuzuan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.