“Armën e mbaj me vete për vetëmbrojtje, ndërsa leja nuk ishte rinovuar për shkak të Covid 19.”

Më këtë argument e justifikoi mbajtjen e pistoletës bereta, këngëtari i njohur grek dhe shumë popullor edhe për publikun shqiptar, Notis Sfakianakis, i cili u arrestua mbrëmjen e të dielës nga polica.

Ai po drejtonte  një Land Rover, kur u ndesh me patrullën e policisë që po kryente kontrolle për respektimin e masave të Covid-19 dhe paligjshmëri.

Arrestimi u zhvillua pak pas orës 20:00 në afërsi të një supermarketi të njohur.

Pas zbulimit të sasisë drogës të llojit kokainë dhe armës , këngëtari ishte plotësisht bashkëpunues dhe nuk tregoi ndonjë rezistencë ndaj policisë.

Lidhur me  rreth 2 gram kokainë që ju kap,  ai nuk ka dhënë shpjegime por është mjaftuar  duke thënë:

“Është ajo që ju dini …”, i tha ai policisë.

Ai madje i inkurajoi duke u thënë, ” bëjeni punën tuaj sepse e bëni mirë “.

Ndërsa zyra ligjore që ka marrë përsipër mbrojtjen e tij dha këtë sqarim.

“Siç u botua në media, Z. Sfakianakis akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe mbajtje të një sasie të vogël droge. Akuza për posedim të një arme zjarri iu atribua arsyeve zyrtare, sepse licenca për të poseduar legalisht një armë të vogël me kalibër 9 mm, e cila nuk ishte rinovuar për shkak të koronavirusit, kishte skaduar. Ai e zotëronte këtë armë për dekada për sigurinë e tij personale për shkak të veçorisë së profesionit të tij dhe orëve që punonte dhe parave që mbart, pasi shumë prej kolegëve të tij kanë rënë viktima të grabitjeve dhe rasteve të rrezikshme. Lidhur me sasinë e vogël të drogës, e cila u gjet në makinën e tij, z. Sfakianakis deklaroi se nuk ishte e tij, duke dhënë shpjegime të plota për të”.

Menjëherë, policia e vuri në pranga dhe e çoi në Stacionin e Policisë Argyroupolis dhe prej andej në Departamentin e Sigurisë Vouliagmeni, ku kaloi natën pasi nuk kishte asnjë ambient paraburgimi në Argyroupoli. 

Kundër tij u ngrit një çështje për posedim të drogës, armëmbajtje pa leje dhe sot ai do të dalë para prokurorisë.