Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas sinjalizimit të kryeministrit Edi Rama nga facebook për shpërndarjen e “fake news”-ve.

Në një postim në facebook, Bardhi thotë se Rama është përhapësi më i madh i lajmeve të rreme, teksa ka ndarë dhe një video kur shefi i qeverisë bënte këtë koment: “Sa pa dalë Facebook, budallain e njihte vetëm shtëpia e vetë”.

Bardhi: Tani edhe Facebooku e konsideron atë si mashtrues. Nga premtimet që nuk realizohen kurrë e deri te” statistikat” që nuk ekzistojnë, Edi Rama është përhapësi me i madh i lajmeve të rreme në Shqipëri. Pas shtatë vitesh premtimesh boshe dhe pas dy mandateve me gënjeshtra, është koha për ndryshim.

Kryeministri Edi Rama është shënjestruar nga rrjeti social Facebook, për shpërndarje të informacioneve të rreme lidhur me një postim të tij me 15 tetor ku shpërndante disa foto nga pandemia e gripit spanjoll.

Rama: MIRËMËNGJES dhe me këtë album të vitit 1918, kur pandemia zgjati 2 vjet, pati 3 valë, infektoi 500 milionë persona, vrau 50 milionë njerëz, prej të cilëve pjesën dërmuese gjatë valës së dytë, si pasojë edhe e mosrespektimit masiv të rregullave pas hapjes së parë, duke ju kujtuar se NGA SOT MASKA ËSHTË E DETYRUESHME KUDO JASHTË SHTËPISË, ju uroj një ditë të mbarë.

Por Facebook u përgjigj kështu në postimin e tij: Informacion i rremë.

Ky postim është verifikuar nga fact-checkers dhe është i rremë.