"E kërkova në google, është drejtor i madh", Erl Murati zbulon patronazhistin e tij në PS: Kishte gabuar me parashikimin për votën

"E kërkova në google, është drejtor i madh", Erl

Kuriozitetit se kush është patronazhisti i tij në PS, pasi Lapsi.al publikoi të dhëna nga database e kësaj partie,  nuk i ka shpëtuar as gazetari Erl Murati.

I ftuar në Ora News ai zbuloi se cili është ai, por tha se ka gabuar me parashikimin e tij për votën.

Murati: Pata dhe unë kuriozitetin tim. Nuk do ja them emrin por patronazhisti im është drejtor i Përgjithshëm i një institucioni shtetëror të cilin unë as e kam njohur dhe as e kam takuar ndonjëherë. Ai ishte patronazhisti im që në njëfarë mënyre ka detyrën për ti raportuar partisë preferencat e mia politike. Ishte i gabuar në parashkimin e tij, se di kur janë hedhur të dhënat. Personalisht hyj te elektorati gri, në zgjedhje të caktuara unë ka votuar forca të ndryshme politike. Nuk hyj te besnikët e partisë që voton vetëm një ngjyrë për 20 vite me radhë. Në një moment të caktuar kam votuar PS, kam votuar PD, kam votuar LSI. Nuk e kam takuar kurrë dhe futa emrin në google për të kuptuar që ky qenka një drejtor i madh. Po hamendësoj që ai duhet të jetë banor i njësisë 2 ku jam dhe unë dhe merr përsipër të bëjë këtë gjë.

Murati thotë se skandali me të dhënat personale ka dy dimensione, atë penal me të cilin po merret SPAK dhe atë politik.

Murati: Kemi të bëjmë me të dhëna sensitive, personale. Jo vetëm emër mbiemër, por numër telefoni, numri i kartës së identitetit dhe vendi i punës. Janë të dhëna personale dhe nuk mund të ndahen me këdo. Në këtë çështje është dimensioni penal dhe ai politik. Për të parën kemi një verifikim nga SPAK, shpresojmë të kemi një proces të shpejtë. Impakti politik është se çdokush nga ne e di që të dhënat e tij ndodhen në duart e një partie, PS. Ne mund ta shohim me humor por në zona të tjera të Shqipërisë ku këto të dhëna impaktojnë në jetën e secilit, presioni është i madh.

Duke vënë në dukje se marrja e të dhënave personale të qytetarëve kjo nuk është një shpikje shqiptare, Murati thotë se prokuroria duhet të thotë nëse kjo është e ligjshme apo e paligjshme.

Murati: Problemi me patronazhistin, së pari e sheh si të rrezikshëm se mund të vijë të bëjë presion ose të të joshë për votën gjë që me mua dhe shumë të tjerë nuk ka ndodhur. Tjetra mund të jetë se ky patronazhist thjesht bën një spiunim të aktivitetit tënd publik dhe më pas ja raporton partisë. Verifikon profilin e Erl Muratit në facebook, nëse ka vënë statuse kundër qeverisë raporton se do të votojë PD dhe LSI dhe anasjelltas. Kjo është një eksperiencë nga jashtë, nuk është shpikje shqiptare, por i takon prokurorisë të thotë nëse është e ligjshme apo e paligjshme. Prokuroria duhet të japë verdiktin e saj, duhet të bëjë transparencë mbi këtë proces duke qenë se jemi dy javë para zgjedhjeve. Sa më herët të bëhet transparencë aq më mirë dhe më qetë do të jemi të gjithë.

E ndërsa ka dyshime se PS këto të dhëna ti ketë marrë nga e-Albania,  Murati ka këtë koment.

Murati: Nëse do ta vlerësoj si një përdorues i thjeshtë, qytetar i thjeshtë dhe jo gazetar sigurisht që aty ka mjaft facilitete. Unë vetë e kam përdorur. Nëse dikush është futur në e-Albania apo e-Albania i ka dhënë të dhëna PS mbetet subjekt i hetimit, por në vetëvete e-Albania është një program që e ka lehtësuar jetën e shqiptarëve.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana

EMISIONET