Shkrimtarja Flutura Açka, e cila rreth dy vite më parë humbi djalin e saj të vetëm 18-vjeçar, vjen me librin e saj më të ri që i dedikohet pikërisht atij.

“Biri”, ky është titulli i veprës së re së Açkës, i cili nga sot mund të gjendet në të gjitha libraritë shqiptare.

“Meqenëse gjakimi im është fiksioni, nuk i jam afruar kurrë rrëfimit epistolar, edhe sepse jeta ime nuk duhet të ndikojë shkrimin. Por këtë vepër NUK ia dola dot të mos e shkruaj”, shkruan Açka ndër të tjera.

“Unë jam “Biri”

Të dashur Miq, ju falenderoj për interesimin për veprën time të radhës; “Biri” nga sot është në libraritë shqiptare. Një mikja ime më pyeti një ditë se në çfarë gjinie duhet ta përfshija. Sigurisht, është një requiem për tim bir, por në të vërtetë i shkruar si autofiksion. Meqenëse gjakimi im është fiksioni, nuk i jam afruar kurrë rrëfimit epistolar, edhe sepse jeta ime nuk duhet të ndikojë shkrimin. Por këtë vepër NUK ia dola dot të mos e shkruaj.

Biri,
Requiem
368 faqe
1200 lekë

Falenderime të veçanta:
Eseisti, analisti dhe diplomati Shaban Murati, për redaktimin e veprës
Miro Weitzel dhe Herman Zonderland për ballinën
Mente Wester, Etleva Pushi-Kondakçi dhe Rrem Muharem Hidi për të gjitha plotësimet e tjera”, vijon shkrimtarja postimin e saj.

Promovimi i librit, që tashmë mund ta gjeni në library, do të bëhet ditën e prermte, nga 0ra 17:00-21:00 në një prej bareve të Tiranës.

“Ftesa është e hapur për miq, dashamirës dhe lexues, me kushtin e vetëm për të respektuar distancën, maskën dhe të gjitha rregullat që na kërkohet për të mbrojtur njëri-trjetrin Covi-19. Ndryshe nga herët e tjera, nuk do të kemi përqafime e fotografi, por ndjeshmëria do të jetë po ajo. Ju mirëpres!”



Pjesë nga “Biri”

“…Shpesh unë mbyll sytë dhe e përfytyroj tim bir në ceremoninë e diplomimit, tek zë thinja, tek ngre fëmijën e tij në krahë, tek më kujton pas ikjes sime të mbrame, siç e pandeh Oriana Fallaci te “Letra…” e saj magjike fëminë e saj të palindur që rritet dhe i vjen deri te supi, që e zë përdore për të ngjitur shkallët….

Ç’ishte kjo botë kaq e madhe që donte ta përfshinte në trupin e tij të brishtë e të kufizuar njerëzor?! Ishte joshja e dinamikës së jetës së shkurtër?

Që të jem e ftohtë në këtë rrëfim timin, shpesh e “vras” nënën dhe ia lë me bujari shkrimtares radhën që të tregojë dhe ashtu do të doja të gjykohej edhe ky libër, si një rrëfim ku shpesh nëna dhe shkrimtarja kanë bërë hara-kiri për të sjellë një histori përtej personales, dhe që pavarësisht qenieve reale që e popullojnë jetën që përshkruhet në të, mund të lexohet edhe si një histori njerëzore të panjohurish, jetë njerëzish të zakonshëm, substancë nga rrjedh vetë letërsia. Emrat e përveçëm në këtë histori, ndonjëherë janë vetëm konvencione për t’iu afruar më lehtë së vërtetës njerëzore dhe blatimit hyjnor…”