E diela pritet të jetë mundësia e fundit për arritjen e një marrëveshjeje tregtare pas Brexit, përpara se Britania e Madhe të vazhdojë sërish ekzisencën e saj jashtë BE-së nga 1 janari.

Brukseli dhe Londra kanë pranuar se ka një hendek të madh mes palëve, kur mbeten vetëm tri javë nga fillimi i një marrëdhënieje të re tregtare post-Brexit.

Kryeministri i Britanisë, Boris Xhonson, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, deklaruan të mërkurën pas një darke pune gati tre orëshe se ndasitë mes palëve do përpiqen t’i zgjidhin brenda fundjavës me anë të negociatorëve të tyre.

Patëm një diskutim energjik dhe interesant mbi gjendjen e problematikave kryesore. Tani i kuptojmë qartë pozicionet e njëri-tjetrit. Hendeku mes nesh është i madh,” deklaroi presidentja fon der Lajen.

Londra këmbëngul që ajo të rimarrë sovranitetin e lëshuar pjesërisht pas gjysmë shekulli integrimi ekonomik brenda BE-së.

Bisedimet janë bllokuar kryesisht për temën e konkurrencës, apo të mekanizmit që e lejon Brukselin të ndërhyjë kur kompanitë europiane shihen se po garojnë në kushte të pafavorshme në Britani.

Të drejat e peshkimit në zonën e gjerë detare të shtetit ishullor janë një tjetër problem kyç.

Çfarëdo të ndodhë më 1 janar, nuk kam absolutisht asnjë dyshim se vendi do të lulëzojë pa masë. Do të kemi një sistem të pikëzuar emigracioni, porte pa taksa atje ku nevojiten vende pune dhe rritje ekonomike, mirëqenie dhe do të jemi të lirë të lidhim pakte tregtare për të rimarrë paratë që na takojnë,” deklaroi më herët para parlamentit, kryeministri Xhonson.