Kylian Mbappe prej kohësh është në vallen e zërave të merkatos që e shikojnë atë në Premier League ose në La Liga dhe tani gjërat po bëhen edhe më të dukshme.

Sulmuesi francez i cili shkëlqeu mbrëmjen e kaluar ndaj Bayern Munchen me 2 golat e tij ka marrë vendimin e rëndësishëm për t’u larguar në verë nga Paris Saint Germain. Sipas “Cadena Ser”, Mbappe e shikon veten yllin e ardhshëm të Real Madrid dhe ka zgjedhur të firmosë për “los blancos” në verë dhe diçka të tillë ua ka bërë të qartë në Paris.

Drejtuesit e kampionëve të Francës janë të detyruar të pranojnë vendimin e Mbappe dhe nuk pritet të rrezikojnë me të sepse ka vetëm një vit kontratë dhe nëse nuk e shesin në verë, mund ta humbasin pa përfituar asgjë nga kartoni i tij në vitin 2022.

Sulmues 22-vjeçar e shikon si momentin e duhur kalimin te Real Madrid me këta të fundit që e kanë kërkuar prej kohësh që kur luante te Monaco por tani Florentino Perez ka ndërmend të inaugurojë “Bernabeun” e ri me një yll si Kylian Mbappe.