E ardhmja e qytetit amerikan e rrezikuar nga përmbytjet

E ardhmja e qytetit amerikan e rrezikuar nga përmbytjet

Banorët në qytetin Ocean City të Nju Xhërsit po hasin rregullisht problemin e përmbytjeve masive. Autoritetet lokale kanë investuar për ta luftuar problemin, por disa ekspertë thonë se ky fenomen do të vazhdojë të përkeqësohet dhe me kalimin e kohës qyteti do të bëhet i pabanueshëm.

Stuhia dimërore që goditi pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara në fillim të shkurtit solli përmbytje në rrugët e qytetit Oshën Siti. Askush nuk u çudit.

“Kjo është bërë tipike”, thotë Suzanne Hornick, anëtare e komisionit të qytetit për përmbytjet. Kjo njësi dokumenton problemin dhe bën lobizëm tek autoritetet për të vënë pompa e për të ngritur rrugët.

Qyteti ka pasur probleme në të kaluarën, por situata është shumë më keq tani, thotë Jay Gillian, kryebashkiak:

"Pa diskutim që tani është ndryshe. Shihet nga ngritja e nivelit të detit”.

Qyteti ndodhet në një ishull bregdetar, i rrethuar nga ujërat e oqeanit në njërën anë dhe ujërat e gjirit në anën tjetër. Kur përmbyten rrugët, lëvizja e makinave shkakton ngritjen e ujit që pastaj futet në garaxhet dhe themelet e shtëpive. Kopshtet dëmtohen nga uji me kripë.

Tom Herrington studion efektet e ndryshimeve klimatike dhe koston ekonomike të dëmeve:

"E shohim se çfarë kostoje do të kenë ndryshimet klimatike tek ata që duan të vazhdojnë ta ndërtojnë jetën këtu. Do të bëhet më e rrezikshme, shumë e kushtueshme. Por mbi të gjitha duhet të pyesim: edhe sa kohë mund të jetojnë këtu? Ndoshta edhe një brez tjetër, pasi në një moment në të ardhmen kostoja do të bëhet e papërballueshme”.

Këto shqetësime nuk duket se e kanë dëmtuar popullaritetin e ishullit. Tregu i pronave të patundshme vazhdon të rritet, shtëpi të reja ngrihen çdo ditë.

"Në këtë zonë kemi një sektor turizmi me vlerë 40 miliardë dollarë në vit. Pa diskutim që zona gjeneron para, por edhe për sa kohë?”, thotë zoti Herrington.

Megjithëse banorët ankohen, qyteti nuk duket se do të boshatiset lehtë.

"Tregu i pronave të patundshme këtu nuk vuan kurrë. Aktualisht ka 170 objekte për shitje. Agjentët thonë se asnjë prej tyre nuk rri në treg më shumë se një javë”, thotë zonja Hornick.

Për banorët që kanë jetuar këtu prej vitesh, përmbytjet janë një stres i vazhdueshëm:

"Kjo situatë të krijon stres pasi nuk e di a do të mund të shkosh në shtëpi pasi rruga është e bllokuar nga uji. Niveli i ujit në rrugë ngrihet shumë shpejt. Nganjerë nuk e di a do të jesh në gjendje të dalësh nga shtëpia kur ke një urgjencë”, thotë zonja Hornick.

Qyteti ka akorduar 87 milionë dollarë për periudhën 2014-2025 për projekte kullimi dhe struktura për të penguar përmbytjet. Fondet janë huazuar dhe do të paguhen gjatë viteve. Një rrjet pompash nëntokësore e kthen ujin drejt oqeanit.

Megjithë problemet, asnjë nga banorët nuk shprehet i gatshëm për t’u larguar. Por nëse niveli i detit ngrihet 40 centrimetra deri në 2025, siç thonë parashikimet, kostoja mund të bëhet e papërballueshme për të mundësuar jetën në këtë komunitet bregdetar.

Bota Lajme SHBA New Yersey ocean city

EMISIONET