Inspektorati Farmaceutik dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një inspektim të papritur në Qendrën e Mjekësisë familjare në Komunën e  Shtërpcës.

Drejtori i Inspektoratit Farmaceutik , Shaban Osmanaj tha për RTV Dukagjinin se kanë pasur informacione se atje po bëheshin vaksina ilegale anticovid të ardhura nga Serbia, por që një gjë e tillë nuk u vërtetua.

“Kemi kontaktuar me Drejtorin e QKMF-së në Shtërpcë dhe janë kontrolluar të gjitha hapësirat ku ruhen barnat dhe pajisjet dhe produktet medicinale. Meqenëse rasti ishte më specifik, kam asistuar edhe unë dhe bashkë me inspektorë nuk kemi konstatuar se mund të ketë pasur vaksina anticovid. Janë kontrolluar të gjitha hapësirat në vendin e ngjarjes. Janë kontrolluar sidomos frigoriferët ku ruhen vaksinat, pasi ruajtja e vaksinave kërkon kushte të veçanta dhe ka rezultuar se nuk ka pasur vaksina. Vaksina në fakt ka pasur vetëm për fëmijët dhe vaksina për gripin e zakonshëm”, ka thënë Osmanaj.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë u hodh dyshimi se nga Serbia janë futur vaksina anticovid dhe kishte njoftime sa janë vaksinuar një pjesë e qytetarëve serb që jetojnë në atë pjesë.

Prokuroria themelore në Mitrovicë tha se është duke u punuar në lidhje me këtë që të zbardhen rrethanat rreth pretendimeve.

Kryeministri Hoti kishte deklaruar se futja e vaksinave në mënyrë ilegale është sjellje e papranueshme e Serbisë.