Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut  njoftoi sot se kanë arrestuar arrestuar tetë persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi terrorist.

Ndalimi i tyre është bërë të dielën, 27 dhjetor, nga njësiti i policisë për luftë kundër terrorizmit në koordinim me Agjencinë për Siguri Kombëtare si dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore Publike, respektivisht Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, policia ka kryer bastisje në tetë lokacione, pesë në Kumanovë dhe tre në Shkup, nga ku janë arrestuar tetë persona.

“Sektori për shpërbërjen e krimit të organizuar dhe serioz me datë 27.12.2020 deri tek Prokuroria Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe të Korrupsionit ka dërguar padi penale për personat B.F (32), B.G. (27) dhe J.K.(25) nga Shkupi, si dhe I.M.(22) dhe D.A. (21), R.A. (31), S.I.(31), A.S.(21) nga Kumanova. Personat në fjalë akuzohen për kryerjen e veprës penale “grup terrorist”, që dënohet sipas nenit 394, alinea 2 nga Kodi Penal” thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë, B.A. nga Kumanova ka krijuar grup terrorist ku përpos të burgosurve V.A. dhe E.L. kanë marrë pjesë edhe tashmë të arrestuarit, nën ideologjinë e grupit terrorist ISIS për të kryer vrasje dhe shkatërruar ndërtesa publike me synimin për të krijuar ndjesi të pasigurisë ose frikës tek qytetarët.

Për të arritur këtë qëllim, anëtarët e grupit ndërmorën disa veprime përgatitore, siguruan burime financiare, armë, municion, pajisje ushtarake, si dhe kanë realizuar prova me pajisjet shpërthyese të improvizuara.

Anëtarët e grupit terrorist për komunikim me njëri-tjetrin kryesisht kanë përdorur platformën e internetit “Whats App” ku ndër të tjera janë dakorduar për mënyrën e transportimit të armëve dhe mënyrën e ndërtimit të rripave vetëvrasës.

B.F. ka marrë pjesë në formacione paraushtarake jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtar i organizatës terroriste ISIS në Siri.

Gjithashtu, me datë 27.08.2020 janë gjetur armët dhe mjete eksplozive të minave në afërsi të vendit të quajtur Menkova koliba në Kumanovë, për të cilën më 31.08.2020 u akuzuan B.A., V.A. dhe E.L., sipas sasisë dhe qëllimit, kishte indikacione se një organizatë terroriste shumë-anëtarëshe ishte aktive.

“Si ka mundësi të flisni e ankoheni për “Islamofobi”?”

Lidhur me këtë operacion ka reaguar edhe gazetarja në Kosovë, Albana Xharra.

Xharra: Këta janë shqiptarë terrorist islamik për të cilët u kam paralajmeruar tash sa vjet. E di që keni me thënë s’janë këta shqiptarë. Po shqiptarë me letra janë. Si ka mundësi të flisni e ankoheni për “Islamofobi”, që s’është, e kurr nuk kërkoni të luftohen këta që për çdo ditë na shfaqen me fytyra – këta terroristët: në Siri, në Turqi, në Vjenë, në Shkup … E di se as tash si para 10 vjeteve s’keni duru me ju pyet: nga dolën këta terroristë? Kush i indoktrinoi dhe sa janë? Më keni kundërshtu duke thënë se janë pak. Por na doli që janë shumë ngase tash ua pamë fuqinë: e mbyten Tetovën, Prizrenin dhe plotë qytete tjera, i lanë pa fytyrë, pa gëzim. Kush i përgatit këta: ne të gjithë? Këta propagandojnë jo vetëm xhamive por edhe mediat, shkollat dhe shtetet i kanë marrë peng – me pare natyrisht. Paguan dikush mirë. Kush? Beogradi, Ankaraja, Shkupi, Katari? Të gjitha bashkë investojnë.

Kanë investuar dhe investojnë për këtë ditë, për të thënë; ja fytyra e vërtetë e këtyre Ilirëve dhe Kastriotëve që shpëtuan Evropën ne shek.15.. Serish do të më shani mua që jam Islamofobe, sërish do heshtin plot si zuzarë, sërish do të votoni parti që koketojnë me këta dhe sërish nesër kur ua nxjerrin fytyrat si këta, do të thoni jo more çka , s’janë këta sqhiptarë. Ecni bindeni botën jo mua. Terrorist islamik nuk është vetëm ai që kapet – në shoqëritë tona ka shumica të mëdha myslimane që mendojnë si këta, vetëm se ushtrojnë durimin. Kjo është e vërteta. Hidhnja shikimin majtas, djathtas ose shikoni kanalet e Prishtinës, Tiranës, Shkupit dhe bindeni saora.