Pasagjerët dhe qytetarët që ndodheshin në Rinas mesditën e të mërkurës u bënë dëshmitarë të një evakuimi të papritur për shkak të një alarmi për bombë brenda aeroportit. E gjithë situata ishte në fakt një testim i improvizuar për të verifikuar nivelin e sigurisë në aeroport dhe gatishmërinë e sistemit të emergjencës për të reaguar në situata të ngjashme.
Mesditën e kësaj të mërkurë, Aviacioni Civil ka dhënë alarmin për bombë në aeroportin e Rinas, për të testuar reagimin e punonjësve të sigurisë.
Alarmi fals ka shkaktuar jo pak panik dhe frikë tek qytetarët, të cilët ndodheshin në pistën e avionëve.
Ka qenë ora 11:29 minuta kur sistemi i alarmit në Rinas ka sinjalizuar për lëndë plasëse.
Qëllimi i situatës së improvizuar ka qenë për të testuar në mënyrë të pa paralajmëruar nivelin dhe kohën e reagimit në aeroport.
Rënia e alarmit është bërë shkak për evakuimin e shpejtë të gjithë pasagjerëve dhe punonjësve të aeroportit, duke zbatuar procedurat e planit të emergjencës.
E gjithë kjo situatë alarmi ka bërë që qytetarët të largohen të frikësuar, ndërsa disa pasagjerë shprehen se ngjarja është bërë shkak dhe për vonesën e fluturimeve.
“Na u shty fluturimi, arsyet i dinë këta, tallen me këtë popull.”
“Erdhëm këtu dhe nuk na kanë lajmëruar fare.”
Pas disa minutash pasagjerët dhe punonjësit e aeroportit kanë rihyrë në terminal, pas njoftimit të policisë së Komisariatit Rinas se ky “alarm” ishte një testim.
Në një reagim zyrtar, Aviacioni Civil shprehet se operimi i aeroportit pas kësaj situate vazhdon normalisht puna duke vijuar me fluturimet që janë në program.
Sipas autoriteteve, testimi kishte si synim përforcimin e sistemit të sigurisë dhe për të parandaluar sulmet terroriste në të cilat mund të tentohen në aeroportin e Rinasit.
Siguria e aeroportit gjatë viteve të fundit është cënuar disa herë si pasojë e grabitjeve brenda në pistën e avionëve, ku janë marrë miliona euro që ishin duke u transferuar jashtë vendit.
Njoftimi i Aeroportit të Rinasit (TIA):
Informacion për mediat e publikun
Një test i fshehur i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar në bashkëpunim me Policinë e Komisariatit Rinas, brenda ndërtesës së aeroportit, “i identifikuar si alarm për bombë” ka bërë që në orën 11.29 të ditës së sotme, datë 30 Shtator 2020, të bëhet evakuimi i të gjithë pasagjerëve dhe punonjësve të aeroportit, pasi u vunë në veprim procedurat e Planit të Emergjences për raste të tilla.
Të gjithë pasagjerët dhe punonjësit e aeroportit kanë rihyrë në terminal, pas njoftimit të policisë së Komisariatit Rinas se ky “alarm” ishte nje test i fshehtë.
Njoftojmë pasagjerët dhe familjarët e tyre se operimi i aeroportit po vazhdon normalisht dhe nuk ka vonesa në fluturimet që janë program.
Ju falenderojmë shumë për mirëkuptimin tuaj.
Tirana International Airport