Në një intervistë për RTV Ora, Arjan Dyrmishi, studiues i çështjeve të sigurisë, u shpreh se në kampin Al Hawl ka formacione të ISIS dhe dokumentet e personave shqiptarë shkatërrohen.

Dyrmishi tha se aty ka pasur fëmijë që kanë lindur në atë territor, në kamp dhe nuk njohin një realitet tjetër, ndërsa për pjesën e rritur, kjo ka qenë një zgjedhje.

Arjan Dyrmishi: Ka pasur një emocionalitet në Shqipëri për këtë rikthim nga kampi, por duhen pasur parasysh edhe vështirësitë në terren për evidentimin e këtyre personave. Atje ka formacione të ISIS dhe dokumentet e personave shqiptarë shkatërrohen. Prandaj identifikimi i tyre bëhet shumë i vështirë. Nga pikëpamja juridike ne kemi disa rregulla të kalimit të kufirit. Për këta njerëz për të qenë brenda ligjit, duhet të ndërmerren procedura të veçanta, prandaj është e vështirë që t’i evidentosh në kampe me 50 000 njerëz.

Aty ka pasur fëmijë që kanë lindur në atë territor, në kamp dhe nuk njohin një realitet tjetër. Këta persona do të kenë një vështirësi integrimi me rregullat e një shoqërie tjetër. Për të miturit është një problem pasi nuk janë koshientë për veprimet e tyre. Ndërsa për pjesën e rritur, kjo ka qenë një zgjedhje. Forcat kurde që i kanë nën kontroll kampet, duan që të nënshtrojnë një hetim për këta persona. Vlerësohet se ata mund të jenë diku te 55 persona në kamp. Është e arsyeshme që të mos publikohen numra për këto kampe.

Dyrmishi shtoi se territori ku ndodhet ky kamp është shumë i vështirë për tu aksesuar, pasi kontrollohet territori nga disa grupe dhe disa vende të ndryshme.

Arjan Dyrmishi: Territori ku ndodhet ky kamp është shumë i vështirë për tu aksesuar, pasi kontrollohet territori nga disa grupe dhe disa vende të ndryshme. Kjo e bën të vështirë që të futesh në kontakt me këta persona dhe më pas t’i nxjerrësh nga aty. Gratë kanë pasur edhe rolet e tyre në funksionimin e ISIS dhe mund të jenë të përfshira në funksione të shtetit islamik. Mund të jenë edhe nën presionin e personave me të cilët kanë hyrë në marrëdhënie dhe ata i shantazhojnë.