Dy vjet nga protesta historike e studentëve

Dy vjet nga protesta historike e studentëve

Për shumëkënd, 4 dhjetori i 2018-s ishte fillimi i një ngjarjeje te pazakontë dhe me përmasa historike: të rinjtë e universitetit publik dolën në rrugë, me dhjetëra mijëra, kundër një vendimi të thjeshtë për rritjen e tarifave të studimit, i cili u bë shprehje e gjithë pakënaqësisë dhe zemërimit me situatën sociale të krijuar në vend. Për javë të tëra studentët qëndruan stoikë, në të ftohtë dhe pa ngrënë, përballë pallateve të pushtetit, duke e vënë atë si rrallëherë në vështirësi. Ato ditë studentët fituan besim në vete dhe simpati në popull, duke i kujtuar këtij të fundit melankolinë e përmbysjeve të mëdha dhe mundësinë e përmbysjeve të reja.

Protesta, siç dihet, përfundoi me disa fitore të vogla si anulimi i VKM-së problematike, përgjysmimi i tarifave të studimit vetëm në nivelin bachelor dhe shkarkimi i tetë ministrave, ndër ta edhe i ministres famëkeqe të Arsimit Lindita Nikolla. Megjithatë, këto fitore qenë të papërfillshme në krahasim me vrullin dhe shpresat e atyre ditëve. Arsyet janë të shumta. E para, shteti vuri në lëvizje të gjitha makinacionet e tij, që prej presionit pedagogjik tek ai policor, për ta dobësuar protestën. E dyta, ai përdori taktikën e zvarritjes në kohë, pafuqinë ekonomike, lodhjen dhe festat e fundvitit për ti squllur vullnetet e të rinjve. Së treti, me tentativën e dhunshme dhe idioteske për ta marrë nën kontroll protestën, Partia Demokratike i dha goditjen e fundit rezistencës me të pashoqe në tri dekadat e fundit.

Si çdo protestë, edhe protesta e dhjetorit të 2018 nuk ishte një shpërthim pa shkak, krejtësisht spontan, nga hiçi. Rruga dhe retorika që shtruar përgjatë katër vite rezistence, protesta, aksione, arrestime, gjyqe, peticione, tryeza, debate televizive etj. nga breza aktivistësh të Lëvizjes Për Universitetin, krijuan potencialin për këtë rebelim masiv. Për çdo student, tarifat dhe ligji për arsimin e lartë ishin një vjedhje në rrethanat e një varfërie të përditshme. Mijëra studentë të dhjetorit të para dy viteve ishin tashmë të kalitur në protestat e përjavshme e të përmuajshme të Lëvisjes Për Universitetin. Dy javë përpara asaj proteste masive, një protestë tjetër masive, por më e vogël, ish mbajtur në bulevard nga LPU.

Ndërkaq, duke i mbetur besnik rezistencës së vet, por tashmë me një reference edhe më të madhe si dhjetori i 2018, përgjatë 2019 dhe 2020 aktivistët e LPU u mobilizuan për protesta të reja, të mëdha, edhe më forta, përmes përplasjes me burokracinë dhe policinë në shkolla dhe konvikte, por tërmeti rrënues dhe më pas shfaqja e Covid-19 hodhën në erë çdo plan. Kalimi i jetës studentore në virtualitet dhe kthimi i të rinjve në shtëpi, na hoqi mundësinë për edukimin e mëtejshëm të shumësisë së shkollarëve më kritikë dhe mobilizimin e tyre për rezistencë.

Megjithatë, pandemia dhe mësimi online, ashtu si çdo dramë sociale, shërbyen për të kuptuar një të vërtetë të madhe: qeveria nuk u interesua asnjëherë seriozisht për studentët të cilët, pa mundësi ekonomike, pa literaturë, pa mjete teknologjike për mësim normal, pa shërbime dhe mbështetje sociale, mësuan sa të varfër e të padëgjuar janë përballë një pushteti përherë e më autokrat. Por edhe pandemia e Covid-19, si çdo krizë dhe kolerë, do të kalojë. Prandaj është e nevojshme që studentët, këto leksione t'i përkthejnë në praktikë, veprim të drejtpërdrejtë dhe kritik, sapo situata të normalizohet.

Për shumëkënd protesta e dhjetorit të 2018 ka shërbyer si një eksperiencë e pakapërcyeshme. Detyra jonë është që këtë eksperiencë ta shndërrojmë në pikënisjen e një tradite rebelimi masiv. Situata e rënduar sociale, rruga, këngët e revoltës dhe nevoja e brezave të rinj e të mbarë popullit për ndryshim vazhdojnë të mbeten aty, si rrezik dhe mundësi, si terr dhe dritë, por mbi të gjitha si një potencial energjik për një jetë të re e të drejtë. Për ne si aktivistë dhe studentë simpatizantë të Lëvizjes Për Universitetin, dhjetori i 2018 nuk ka mbaruar. Ai vazhdon për sa kohë të ekzistojë padrejtësia në universitet dhe jashtë tij. Për ne, ajo betejë nuk është e vetmja dhe e fundmja, por shtysë për dhjetëra beteja të tjera.

Pandemia do të kalojë dhe nuk do të jetë e largët dita kur masa studentore të këndojë në rrugët e Tiranës:

"Jam student i revoltuar

Prej sistemit varfëruar

Refuzoj të jem e ardhmja

Që nga sot do jem e tashmja".

Lajme Opinione protesta e studenteve 4 dhjetor

EMISIONET