Dy persona kanë rënë në prangat e policisë në Rinas pasi tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Kufitare, me qëllim lejimin për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së edhe pse nuk plotësonin kushtet.

Të arrestuarit janë A. M., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe  Q. M., 56 vjeç, banues në Divjakë.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe intervisitimit për qëllimin e udhëtimit në vendet e BE-së, këta shtetas nuk justifikonin qëllimin e lëvizjes dhe nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar në hapsirën Schengen.

“Shtetasi A.M. i ka ofruar punonjësit të Policisë Kufitare 50 euro, ndërsa disa orë më vonë shtetasi Q. M., i cili donte të udhëtonte bashkë me bashkëshorten, i ka ofruar punonjësit të Policisë Kufitare 100 euro, me qëllim lejimin e kalimit” njofton policia.

Mbi këta dy shtetas rëndon akuza “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.