Numri i pacientëve të shtruar në dy spitalet Covid është tepër i lartë.  Në të nuk ndodhen të shtruar vetëm pacientët e konfirmuar me koronavirus, por edhe atë të cilët kanë probleme të tjera pulmonare apo të dyshuar si Covid.  Shumë shpejt do të hapet spitali Covid 3 dhe në krye të tij pritet të jetë mjeku Arjan Harxhi.

Prej kohësh tashmë Ministria e Shëndetësisë njofton se gjendja në dy spitalet Covid është shqetësuese, në 24 orët e fundit ishin 116 pacientë të shtruar në spitalin Infektiv dhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Por këto shifra të Ministrisë janë vetëm për personat të cilët janë konfirmuar pozitiv me koronavirus. Në ambientet e këtyre dy spitaleve ka dy zona, e kuqe dhe e gjelbër, ku qëndrojnë përkatësisht personat pozitiv me Covid dhe ata me probleme të tjera pulmonare.

Kështu mësohet se në spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar rreth 190 pacientë, nga të cilët vetëm rreth 50 janë pacientë të infektuar.

Kujtojmë që spitali “Shefqet Ndroqi” ka një kapacitet prej 200 shtretërish, por këto shifra tregojnë se hapësirat në të po ezaurohen.

Ndërsa në spitalin Infektiv janë rreth 90 pacientë të shtruar, disa pozitiv me koronavirus dhe disa jo.

Pritet që shumë shpejt të hapet spitali Covid 3 dhe mësohet se do të hapet fillimisht me 40 shtretër.

Në inaugurimin e këtyre ambienteve Ministria e Shëndetësisë deklaroi se spitali Covid 3 do të ketë në dispozicion të të prekurve me koronavirus rreth 125 shtretër.

Covid 3 do të shërbejë si strukturë spitalore karantinë ku do të trajtohen pacientët, të cilët janë në fazë shërimi.

Mësohet se një nga emrat që po diskutohet se do të drejtojë spitalin Covid 3 është doktor Arjan Harxhi, i cili aktualisht shërben në spitalin Infektiv.

Ministria e Shëndetësisë pritet ti dërgojë Fakultetit të Mjekësisë një kërkesë për të zhvilluar praktika me mjekë dhe infermierë për tu trajnuar për përballimin e situatës së koronavirusit.