Dy pacientë europianë janë konfirmuar si bartës për së dyti të virusit korona, duke ngritur shqetësimin për kohëzgjatjen e shkurtër të mbrojtjes imunitare në këtë kohë të pandemie.

Një rast i fundit në Belgjikë dhe një tjetër në Holandë vijnë pas evidentimit për herë të parë të një pacienti 33-vjeçar nga Hong-Kongu, që pasi kaloi sëmundjen e kovidit-19, mësohet se u riinfektua katër muaj e gjysmë më pas me një formë të re të virusit me t’u kthyer nga Spanja.

Virologu belg, Mark Van Ranst, dhe homologia e tij holandeze, Marion Koopmans, vërejnë se zbulimi i këtyre pak rasteve nuk është i papritur, kur po të merret në perspektivë, e gjithë bota numëron afro 24 milionë njerëz të prekur nga koronavirusi.

“Rasti belg është i një gruaje në të 50-at. U infektua për herë të parë në muajin mars me kovidin tipik, pa u dashur të shkojë në spital, dhe krijoi shumë pak antitrupa pas infektimit. Tre muaj më vonë shfaqi të njëjtat simptoma, por që zgjatën vetëm një javë.”

“Me të drejtë njerëzit druhen se riinfektimi do kthehet në standard, por studimet tregojnë se shumica e të infektuarve kanë një reagim të mirë imunitar kur infektohen përsëri.”

E përbashkëta e pacientëve në Europë, dhe atij në Hong-Kong, qëndron te fakti se koronavirusi ka pësuar një mutacion që e ka bërë atë thuajse krejt të ndryshëm nga fazat e fillimit.

Kjo do të thotë se edhe vaksina që po studiohet kundër kovidit të ri do të duhet të rikonceptohet dhe ribëhet kohë pas kohe për t’iu përshtatur këtyre ndryshimeve, njësoj si ajo e gripit.

Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, rastet e riinfektimit te njerëzit janë ende sporadike dhe nuk duhet të përbëjnë shqetësim për publikun global.