Rrëfimi i endacakut: Killeri i Behar Sofisë erdhi mori biçikletën poshtë urës së Lanës

Rrëfimi i endacakut: Killeri i Behar Sofisë erdhi mori

Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë administruar dëshminë e dy personave okularë, të cilët në momentin e fundit, kanë pasur shumë afër 66-vjeçarin Behar Sofia dhe autorin e krimit të rëndë ende të paidentifikuar.

Dëshmitarët janë njëri endacak me inicialet A.P, që qëndron kryesisht poshtë urës së Lanës, tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe dëshmitari tjetër është një kamarier, i cili ka qenë personi i fundit që i ka shërbyer Behar Sofisë, i cili para se të ekzekutohej me dy plumba, ndodhej në një kafe së bashku me një person tjetër të shëndoshë.

Dëshmia e personit endacak, kamerat e sigurisë të disa bizneseve dhe institucioneve shtetërore, janë provat më të vlefshme të policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, e cila prej gati 7 ditësh po kryen veprime hetimore me shpresën e zbardhjes së autorit të krimit që tronditi Tiranën.

Dëshmitari okular i cili është shkëmbyer me killerin poshtë urrës së Lanës, ka treguar në polici se kur ndodhej poshtë urës, duke hyrë nga ana e “Tajvanit”, ka parë një person me kapele që ka ardhur nga krahu i Piramidës dhe befas ndaloi poshtë urës ku mori një biçikletë që e kishte lënë aty u largua me nxitim.

Sipas dëshmitarit "personi ishte me xhup të zi, me kapele të zezë dhe pasi mori biçikletën sërish me atë shpejtësi, u ngjit në drejtim të bordurës anësore dhe iku. Unë nuk e ndoqa më drejtimin e tij."

 Ndërsa një dëshmitar tjetër me profesion kamarier ka treguar se: "…Behar Sofia ishte ditën e hënë në kafe dhe shoqërohej nga një person i moshës 40-vjeç, i shëndoshë rreth 1.70 cm i gjatë. Me të ka qëndruar rreth gjysmë ore ose 1 orë…"

Dëshmitari ka thënë se nuk e njeh këtë person, por po ta shikojë arrin që ta identifikojë, pasi ka qenë edhe më parë me këtë person në lokal.

Behar Sofia u qëllua me dy plumba pistolete “TT”, me silenciator, ndërkohë ende ngjarja vijon të mbetet e pazbardhur.

EMISIONET