Pakujdesia e shumë njerëzve dhe mospërfillja e rregullave të covid 19 është një nga arsyet e rritjes së numrit të infeksioneve në rajonin e Ballkanit.

Në një analizë të bërë nga DW, vihet theksi tek fakti se Serbia, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut apo Rumania njoftojnë për rekorde të reja infeksionesh dhe shtim masiv të numrit të tyre pas heqjes së masave të karantinës.

Shkrimi mban titullin: “Puthje, festa dhe Corona-turbo në Ballkan”.

Fakti që kriza e Coronës në gadishullin Ballkanik po rritet në mënyrë kaq dramatike lidhet edhe me sjelljen e banorëve.

Në të gjithë rajonin njerëzit e kanë zakon të përqafohen kur takohen me njëri-tjerin, e sidomos tani pas përfundimit të izolimit.

Por korona nxiti edhe skenat politike në Evropën Juglindore. Megjithë epideminë në Serbi, Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut u organizuan zgjedhjet parlamentare.

Sipas ekspertëve ato e kanë nxitur gjithashtu procesin e infektimeve. Bashkë me to edhe demonstratat në Serbi apo Bullgari, të cilat më pas organizatorët i ndërprenë ato për shkak të frikës së përhapjes së Coronës.

Sipas DW, kriza e Coronës ka bërë të shfaqet edhe një herë me forcë një nga problemet e njohura të rajonit – korrupsioni.

Në analizë përmendet arrestimi në muajin maj i kryeministrit të Bosnjes Fadil Novalic, për abuzim me tenderin e pajisjeve mjekësore.

Po ashtu, hidhet hije dyshimi mbi fondet e përdorura nga presidenti serb Vuçiç për të blerë aparate frymëmarrjeje.

Ndërsa sa i përket frikës për një valë të re infektimesh, parashikimi nuk është optimist dhe kjo referuar levizjeve migratore.