DW: Nuk e kemi luksin ta heqim nga lista AtraZeneca-n

DW: Nuk e kemi luksin ta heqim nga lista AtraZeneca-n

Mjaft vende në BE, edhe Gjermania, pezulluan vaksinimin me AstraZeneca-n pas rasteve të trombozës, tani po verifikohen edhe njëherë të dhënat. Fabian Schmidt mendon megjithatë, se kjo vaksinë nuk është më pak e sigurtë.

Po, ka persona që kanë ndërruar jetë nga trombozat venoze, e disa të tjerë duhet të trajtoheshin në spital. Po, edhe kjo ka ndodhur pasi të prekurit morën vaksinën e Oksfordit të AstraZenecas. Por që të arrish në konkluzionin nga e gjitha kjo, se vaksina është e rrezikshme është shumë herët. Së pari është e paqartë ende, nëse trombozat vërtet kanë të bëjnë me vaksinën, dhe së dyti ne njerëzit i ekspozohemi përditë rrezikut të trombozës, se sa rreziku që na kërcënon ndoshta nga vaksina.

Korrelacion apo kauzalitet?

Në fillim duhet përmendur: Ka njerëz që pësojnë tromboza me ose pa vaksinë. Nëse kjo është rastësi apo është e lidhur me vaksinën, zakonisht e tregon statistika. Pyetja që shtrohet është: A ka shpeshtim të pazakontë të rasteve të trombozës pas vaksinimit? Nga ajo që dimë deri tani, nuk është ky rasti me AstraZenecan. Për shembull në Britaninë e Madhe mjekët kanë vaksinuar më shumë se 11 milionë doza të vaksinës britaniko-suedeze. Aty janë shfaqur tre raste të trombozës. Në 1,6 milionë raste të të vaksinuarve me AstraZeneca në Gjermani ka pasur 7 raste. Kjo do të thotë 4 raste në 1 milionë të vaksinuar që nga fillimi i vaksinimit në shkurt. Kjo lloj tromboze shfaqet edhe pa vaksinim përgjithësisht në popullsi, rreth 2 deri në 5 herë më shumë në 1 milionë banorë në vit. Rastet e paraqitura pas vaksinës janë ato të një furnizimi me 1 milionë doza. Në kaq shumë vaksinime ka gjasa që të vaksinuarit në një kohë të caktuar të zhvillojnë tromboza, gjë që mund të jetë rastësi.

Megjithatë autoritetet po bëjnë gjënë e duhur, që po i verifikojnë edhe njëherë me imtësi të gjitha rezultatet studimore, shifrat e paraqitura, sepse disa studime, për shkak të procedurave të përshpejtuara nuk janë përfunduar ende. Por të mos harrojmë, gjithmonë ka pasur edhe raste vdekjesh pas vaksinimit, sidomos mes personave shumë të moshuar apo të sëmurëve rëndë. Kjo është natyra, vjen një moment që ne ndërrojmë jetë, me ose pa vaksinim.

Rreziqet e larta të përditshme të trombozës

Nuk ka arsye për panik: Në momente të tjera ne me vetëdije marrim përsipër rreziqe shumë më të larta të trombozës, se tani, - që ndoshta - na kërcënohen nga një vaksinë. Disa shembuj të njohur nga shkenca: Nga 1 milionë gra që marrin pilulën kontraceptive rreth 1100  pësojnë një trombozë. Krahas kësaj është e provuar që rrethana të ndryshme apo sjellja jonë e dyfishon rrezikun e trombozës: mbipesha, udhëtimi, sidomos në fluturime të gjata, apo me automjet apo autobus, sie dhe duhanpirja. Të gjithë këta faktorë janë të njohur. Por ne duhet të kujtojmë edhe një gjë: Shfaqja e trombozave të venave të thella shihet si shumë e rrallë dhe më e rrezikshme se forma të tjera.

Vaksinat shpëtojnë jetë, edhe vaksina e Oksfordit

Tani ne jemi para një vale të tretë dhe të rrezikshme të virusit. Për Gjermaninë ekspertët parashikojnë për ditët e pashkëve ndërkohë vlera treguese mbi 300 raste për 100.000 banorë në javë. Të gjitha vaksinat që janë aktualisht në treg kanë treguar, se ato funksionojnë. Që do të thotë: Ato pengojnë edhe tek varianti dominues i Coronës rastet e rënda të sëmundjes. E vërteta pra është - vaksinat shpëtojnë jetë. Edhe vaksina e AstraZenecas shpëton jetë. Para një vale pandemie botërore me mbi 120 milionë të infektuar dhe më shumë se 2,6 milionë viktima nuk e kemi luksin të hedhim poshtë as edhe një dozë të vetme vaksine. Çdo dozë vaksine duhet vaksinuar. Edhe unë, kur të më vijë radha do ta marr me dëshirë vaksinën e AstraZenecas.

DW/

Lajme Opinione astrazeneca

EMISIONET