Sezoni turistik këtë vit u mbajt mes pandemisë së koronavirusit dhe pas tërmetit të 26 nëntorit. Tashmë për operatorët është koha e bilancit. Kreu i shoqatës së Hoteleri Turizmit në Durrës e vlerëson sezon të mbijetesës, KU të ardhurat shënuan rënie deri në 70 % me vitin 2019!

Tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e koronavirusit i dhanë një goditje të fortë sezonit turistik në Durrës!

Kryetari i Shoqatës së hoteleri turizmit në Eduart Xhepa, thotë se operatorët mbijetuan vetëm për mbijetesë.

“Është një sezon turistik vetëm për të mbajtur veten dhe mbijetesë.”

Përgjatë muajve qershor-korrik është punuar me 20 përqind të kapaciteteve, ndërsa në gusht deri më 40 përqind.

“Maksimumi 20% e aktivitetit që është një shifër shumë e ulët. Është punuar me klientin ditor.”

Ndryshe nga një vit me parë këtë sezon plazheve u kanë munguar turistët me pushime afat gjatë, kryesisht  të ndikuar nga pandemia.

“Kemi pasur klientelë individuale, ose familjare, jo me grupe.”

Por zgjatja e sezonit përtej verës ka ngjallur shpresa tek operatorët pavarësisht se prenotimet në shtator janë ditore.

“Për sezonin e vjeshtës kemi prenotime ditore, jo afatgjata, se nuk dihet se si do të vazhdojë pandemia.”

Sipas vlerësimeve të shoqatës së turizmit Durrës, të ardhurat e gjeneruara përgjatë sezonit pësuan rënie  me 70 % në krahasim me të njëjtën periudhë me një vit më parë.