Katër apartamente dhe 1 automjet me vlerë tregu 200 mijë euro, janë sekuestruar në Durrës, pasi dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e tre personave, në fushën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie.

Apartamentet e konfiskuara dyshohet se janë përftuar nga 3 shqiptarë nëpërmjet veprimtarisë kriminale në shtetin grek, ku në bashkëpunim me njëri tjetrin, në datën 02.05.2011, kanë rrëmbyer një shtetas grek, pronar i një shoqërie tregtare private, me qëllim përfitimi dhe u kanë marrë familjarëve të tij shumën 1 milion e 300 mijë euro.

‘’Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vendosjen e konfiskimit të katër apartamenteve dhe 1 automjeti, konkretisht:

– Një apartament në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të shtetasit Ç. A., 37 vjeç, banues në Kraps, Fier.

– Dy apartamente në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të shtetasit K. L., 32 vjeç, banues në Banaj, Fier.

– Një apartament në lagjen nr. 13, Durrës dhe automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të shtetasit M. H., 29 vjeç, banues në Frakull, Fier’’, informon policia.

Konfiskimi u krye për llogari të procedimit pasuror të filluar për këta shtetas, pasi janë subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.