Një sherr i çastit që vijoi me përdorimin e armës së zjarrit i ka kushtuar jetën një 32-vjeçari në qytetin e Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë në lagjen nr.16 të qytetit bregdetar ku pas një konfliktit të çastit mbeti i plagosur në këmbë 32-vjeçari Jetmir Bregu.

Bregu është qëlluar në rrugë sapo kishte zbritur nga një makinë.

Ai u dërgua me urgjencë në spital ku pas pak minutash ndërroi edhe jetë, shkruan Ora News.

Sipas asaj që raporton gazetari i Ora News në Durrës, Mark Brunga, edhe pse 32-vjeçari e kishte marrë plumbin në këmbë, hemoragjia e madhe ka bërë që të mos mbijetojë dot.

Gjithashtu, sipas gazetarit, viktima njihej edhe me emrin Ilir Kuçi.

Në ambientet e Policisë janë shoqëruar disa shtetas të cilët ndodheshin në vendin e ngjarjes.

Nga ana e Policisë janë ngritur disa pika kontrrolli dhe po bëhet krehja e zonës, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.