Duka në “Ora Sport”: 2020, vit i vështirë, Covid preku edhe financat e FSHF

Duka në “Ora Sport”: 2020, vit i vështirë, Covid

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është i ftuari i parë i emisionit “Ora Sport” në RTV Ora për vitin 2021.

Përballë gazetares Albana Bejko, numri një i futbollit në vend ka komentuar vështirësitë e vitit që lamë pas si pasojë e Covid-19 dhe planet, objektivat dhe aspiratat e Federatës për vitin që sapo kemi nisur.

Sa sfidues ka qenë 2020 për ju, për Federatën?

Armand Duka: 2020 vit i vështirë, realisht vit i vështirë. Ka ndikuar apo ka cënuar atë që është më e rëndësishme e bazës së jetës, shëndetin, kështu që përderisa jemi sulmuar të gjithë nga virusi Covid-19 ka destabilizuar jetën, ka destabilizuar mënyrën e aktiviteteve, ka destabilizuar pa dyshim edhe futbollin. Ka ndikuar direkt dhe indirekt tek ai.

Por unë mendoj se, gjithësesi, duhet ta shohim 2020-ën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Kemi mësuar ca gjëra, kemi mësuar të jetojmë ndryshe ose të bashkëjetojmë me një virus. Kemi mësuar të luftojmë me të, kemi mësuar që duhet të jemi më shumë bashkë, më solidarë dhe të ndihmojmë sa më shumë njëri-tjetrin. Duhet të jemi të gëzuar ne që jemi mirë dhe të shëndoshë dhe që vazhdojmë edhe në 2021, por gjithësesi kemi patur ato humbje që kemi patur dhe na kanë lënë shenja dhe histori negative.

E ka penalizuar FSHF-në kjo pandemi? A ka patur aspirata që duheshin arritur në 2020?

Armand Duka: Pa dyshim! Nuk mund të pretendojmë se kemi marrë maksimumin e zhvillimeve sportive dhe maksimumin e të gjitha fushave të jetës. Nëse nuk do të ishte pandemia do të kishim një nivel më të mirë gare. Mos harrojmë që për 2 muaj u ndërprenë dhe kjo pati edhe një ndikim fizik në gjendjen e futbollistëve. Por edhe pas ndërprerjes, me protokollet e domosdoshme, ka ndikuar në mosarritjen e një performance maksimale. Ka ndikuar edhe mosprania e tifozëve në shkallët e stadiumeve, një gjë shumë e rëndësishme që i jep një tjetër atmosferë ambientit sportiv.

Ka ndikuar edhe në anën ekonomike. Në vende sa më të zhvilluara aq më shumë ka ndikuar pasi impakti i tyre, qoftë edhe nga mungesa e të ardhurave nga spektatorët, atje është më i madh, por edhe këtu gjithësesi ka ekzistuar. Pa dyshim që ka ndikuar jo vetëm në financat e klubeve por edhe në financat e FSHF nga mungesa e të gjitha këtyre që thamë. Kemi patur edhe shpenzimet tona në ndihmën ndaj anëtarëve tanë gjatë muajve të ndërprerjes mars-prill, me paga. Kështu që, të gjitha këto kanë ndikuar por duhet të jemi të gëzuar që më në fund kemi arritur të përfundojmë çdo lloj aktiviteti. Jemi ndër vendet e pakta në Europë dhe botë që kemi përfunduar çdo lloj aktiviteti sportiv.

/a.r,OraNews

Sport Lajme rtv ora intervista Futboll Lajmi i fundit Albana Bejko armand duka ora sport

EMISIONET