Po mendoja, sa kohë u bë pa peshkuar.

Sa më pëlqente të peshkoja, po si s’jam bërë më mbarë.

Nuk mbaj mend kur ka qenë hera e fundit, ndoshta kam patur punë të tjera më të rëndësishme për të bërë, megjithëse sa të rëndësishme mund të kenë qenë derisa edhe ato nuk i mbaj mend…

Kur e mendon…ka shumë gjëra të tjera të rëndësishme që nuk na bëjnë të ndihemi mirë e sërish i bëjmë, a thua se të ndihesh mirë nuk është e rëndësishme

Zot kur e kujtoj ditën e peshkimit, zgjohesha që me natë, para alarmit, madje isha unë që zgjoja alarmin:

“Zgjohuuuu”

Mandej dilja për peshkim, vetëm. Je me veten përgjatë gjithë kohës dhe nuk mendon më për asgjë, as për këstin e kredisë që duhet të paguash, as për pushtetin që bën ç’i do menderja, as për këstin që duhet të paguash e që pushteti e përdor për menderen e vet…

Dhe në një moment ndjen një zë të ëmbël, të butë, fisnik, të cilin të gjithë e kemi dëgjuar të paktën një herë në jetë, një zë i brendshëm, përkëdhelës që të thotë duke pëshpëritur:

“Ej ti, po ti…sa me fat që je”

“Si qenkam me fat”Në fakt jam me fat, për mua peshkimi është si një pastrim, si një pagëzim, uji i lumit që rrjedh merr me vete të gjitha mendimet negative e ndoshta edhe mëkatet, përfshi atë origjinal, fillestar atë, që nga gjithë mëkatet më bezdis më shumë, si persekutim i përjetshëm.

Nëse e lë lumin të bëjë punën e vet të lan të gjitha mendimet negative, madje edhe mëkatet dhe ti i shfaqesh botës i pastër, si i sapolindur, pa halle.

Dhe më vijnë në mendje kaq shumë njerëz të paralizuar nga pushteti, po t’u japim të shkretën nga një grep peshkimi, një mundësi të rrinë me veten, t’i ndihmojmë të kuptojnë se nuk janë të pazëvendësueshëm, do t’u bëjë mirë, ooo sa mirë do t’u bëjë.

Po or po, se ngjan si gjë e vogël e banale, por është kthim tek gjërat e thjeshta, tek ato thelbësoret që po i humbasim përditë.

Të peshkojnë do t’u japë mundësinë të dëgjojnë atë zë të brendshëm, të butë, fisnik, atë zë që thotë:

“Ore, po me sa fat që je”

“Sa me fat jam! Po, po jam me fat, jemi me fat, jemi…”

E megjithatë, do t’ju them edhe tjetrën, unë kur dëgjoj atë zë, ndihem në siklet, më vjen turp dhe e dini pse?

Sepse duhet të jemi rëndë, po shumë rëndë, derisa na vjen turp të ndihemi mirë…ndoshta për këtë arsye frenohem, nuk dal më për peshkim, sepse thellë thellë kam frikë t’i pohoj vetes se po të dua mund të ndjehem mirë.