Autoritetet policore italiane e Departamenti i Antimafias së Milanos kane ekzekutuar mëngjesin e sotëm megaoperacionin e koduar “Mrekullia 2” i cili ka çuar në shkatërrimin e një trafiku ndërkombëtar droge mes Shqipërisë e Italisë.

Megaoperacioni ka cuar në zbatimin e  urdhër arrestimeve ndaj 37 personave, shtetas shqiptarë e italianë, 36 prej të cilëve në burg e 1 në arrest shtëpiak, anëtarë të dy grupeve kriminale trafikantësh.

Grupi i shqiptarëve garantonte furnizimin me kokainë, marijuanë dhe hashash të trafikuar nga Shqipëria.

Ndërsa grupi i italianëve menaxhonte shitjen e shëpërndarjen e drogës.

Hetimet e Antimafias kanë zbardhur se grupet kriminale ishin organizuar në bazë piramidale e mjaft të strukturar ku cdo anëtarë kishte detyra të ndara.

Hetimet kanë nisur më vitin 2018 , pas ekzekutimit të operacionit “Mrekullia1” i cili coi në arrestimin e një korriri droge i njohur me nofkën  “Killeri i burgjeve”. Atij iu kapën 28 kg hashash, 1.7 kg kokainë  e 2 pistoleta.

Gjatë hetimeve operacioni “Mrekullia2” ka cuar në kapjen në flagrancë me lëndë narktotike të 12 personave e në sekuestrimin e 4 kg kokainë, 35 kg hashash e 52 kg marijuanë , 260 mijë euro cash si dhe armë e municione.

Autoritetet policore italiane kanë informuar se në kuadër të këtij operacioni janë ekzekutuar dy urdhër arrestimi në Shqipëri, ndaj dy shqiptarëve bashkëpërgjegjës në këtë trafik ndërkobmëtar droge. Arrestimet janë kryer në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Me urdhër të Prokurorisë së Milanos është kryer dhe sekuestrimi i 1 kompanie, 2 banesave, 9 automjeteve, 2 scooter e 3 motocikleta. 

Në operacion morën pjesë mbi njëqind forca policore të qyteteve  Milano, Bergamo, Brindisi, Lodi, Pavia, Reggio Calabria, Reggio Emilia, Roma, e Varese.