Emisioni “Arena” në Rtv Ora nisi këtë të mërkurë sezonin e ri televiziv. Gjatë emisionit gazetari dhe moderatori Dritan Hila zbuloi se e ka kaluar koronavirusin në muajin korrik.

Ai shfrytëzoi rastin të falenderojë mjekun anestezist reanimator, Alban Beltoja, i cili punon në spitalin e Lodit në Itali, dhe që e kishte asistuar gjatë asaj periudhe, kohë kur Shqipëria arriti pikun e rasteve.

Hila: Përfitoj nga rasti të të falenderoj që më shërove. Edhe unë e kam kaluar në korrik, pata fatin që doktor Beltoja ishte me pushime dhe më ndoqi për qejf të vetë. Nuk i rashë në qafë doktor Piperos se në atë kohë ishim të mbytur. Të falenderoj sidomos për anën psikologjike që më mbajte sipër. Në momentin kur e merr vesh që je i infektuar është ajo frika e parë që të sulmon. Bashkë ishim kur prisnim ditën e 13-14 si do të reagoja, do të merrja majtas apo djathtas. Të falenderoj për suportin psikologjik dhe kujdesin me të cilin më ndoqe. Për fat e kalova në një formë shumë të lehtë.

Ashtu si çdo person që ka kaluar sëmudjen e rëndë, edhe Hila i druhet një infeksioni të dytë.

Hila: Po të pyes tani sa imunë janë ata njerëz që e kanë kaluar dhe për sa kohë?

Beltoja: Është një pikëpyetje e madhe që nuk ka gjetur përgjigje. Ka pasur raste të riinfektimit, por janë shumë të rralla për fat. Beoj se kush e ka kaluar njëherë dhe shtë shëruar nuk rrezikon një shfaqje të dytë të rëndë. Këshilla ime është që të bësh çdo gjë të mundur që të mos infektohesh, të mbash maskën dhe distancën.