Kreu i koalicionit “Bardhë e Zi”, Dritan Abazoviç deklaroi se do të jetë kundër, nëse në rend dite të qeverisë së ardhshme malazeze vihet tërheqja e njohjes së Kosovës.

Në një intervistë për gazetën serbe “Kurir” kryesuesi i zgjedhjeve në Mal të Zi pohoi se pret që Kosova dhe Serbia në të ardhmen të arrijnë marrëveshje të përbashkët.

‘’Sigurisht që ne do të jemi kundër, dhe unë mendoj se kjo çështje nuk do të jetë në rendin e ditës sepse është diçka që ne e kemi përfunduar, ne nuk duhet të kthehemi në të kaluarën. Unë madje pres që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë një gjuhë dhe marrëveshje të përbashkët në të ardhmen e parashikueshme që do të qetësonte tensionet dhe do të mundësonte procesin e pajtimit. Paqja nuk ka çmim. Të gjithë këtu duan paqe, askush këtu nuk dëshiron luftë’’, tha Abazoviç.

Me 4 deputetët e fituar në zgjedhjet parlamentare të së dielës (30 gusht), politikani me familje shqiptare, Abazoviç, u bë faktor përcaktues për rrëzimin e Gjukanoviçit.