Shoqëria shqiptare këlthet shumë për liri-demokraci si kërkesë e kohës, por i mungon formimi kulturor demokratik i frymēs së lirisë.

Shqiptarët janë peng e mendesisē autoritairste-diktatoriale që në embrionin familjar dhe si sundim shtetëror. Shoqëria shqiptare nuk ka mundur ende edhe pas 108 vjetësh të krijimit të Shtetit Shqiptar të krijojë bazamentin e shtetit të së drejtës, kulturës elementare të demokracisë dhe frymës së hapsirave të lirise në funksion të zhvillimit të përbashkët kombëtar.

Shteti shqipëtar ka funksionuar si grupim klanoro-bajraktar autoritarist, diktatorial partiak , dhe demo(n)kratik revanshist.

Ky rrugëtim shtetëror ka bërë atë që; shqiptarët të sillen në rrethin vicioz të ngushticave të interesave meskine të agallarëve partiake nga abuzimi me pushtetin dhe arroganca e sjelljes me popullin.

Duke mos krijuar dot hapësira të lirise së konkurencës së vlerave por krijimin e “elitave” si shërbëtorë të regjimeve të radhës për përfitime të radhës, që janë neveria me e madhe shoqërore në paraqitjen e tyre si intelktualë apo elitë, shoqëria ka riprodhuar vetveten me modelin e udhëheqsive të agallarëve politik dhe lakejve intelektualë të pushteteve të se keqes si shërbim ndaj tyre.

Duke u sjellur dhe punuar si shërbëtore bajraqesh apo çifligjesh “elitat” nuk kanë mundur të krijojnë ide, shpresë dhe vlera.

Që të flasësh për qarkullim elitash, sëpari, duhet të keshë elita si vlera të krijimit të rrymave filozofiko-politike, kulturore-historike dhe morale-atdhetare që krijohen në sistemin e edukimit dhe shkollimit si ndërgjegje shoqërore dhe përgjegjësi komunitare.

A ka Shqipëria sot nje sistem edukim-shkollimi vlerash-atdhetare dhe përgjegjësie komunitare?

Gjendja e rëndë e arsimit, kulturës, artit, medias dhe shoqërisë në një krizë të rëndë morali dhe besimi kur shumëkush mendon dhe gjen rrugë për ta ndërtuar jetën jashtë Shqipërisë për të ardhmen e femijëve, tregon se jo. Tallavaja e fushatës së 25 prillit për zgjedhjet e radhës se bajrakut shtetëror nuk e tregon nje gjë të tillë në vullnetin për fillim-ndryshim. Në të kundërt e keqja është thelluar dhe shpresa zbehet në atë se shoqëria shqiptare nuk ka arritur të kuptojë se duke shkatërruar nuk ndërtohet.

Shqipëria sot jeton në nje treg informal duke funksionuar me trafiqe droge, pastrim parash, korrupsion i thelluar shtetëror, shkatërrim të natyrës, pronës publike dhe private, të një sistem edukimi mjeran, të një sistemi shëndetsor të kolapsuar të PPP ve klienteliste dhe të sistemit të drejtësisë totalisht në KOMO si rezultat i lidhjeve me shtetarët e krimit shtetëror dhe krimit të trafikantëve në bashkëpunim.

Në 30 vjet kjo situatë është ripërsëritur nga bandat politike që kanë drejtuar vendin dhe kanë bërë rrotcion mafiozësh në shërbim të se njëjtës klientelë oligarkësh dhe trafikantësh. Duke qenë se mekanizmi bazë i shtetit DREJTËSIA nuk ka mundur krijojë themelin e sistemit të drejtësisë, por në të kundërt ka qenë shërbim i krimit politik lidhur me krimin e trafiqeve, jo vetëm nuk ka funksionuar drejtësia por ajo vetë është bërë bashkëpunëtore e krimit politik dhe trafiqeve.

Drejtësia e vonuar është padrejtësi.Kultura e mosndëshkueshmërise në historinë politike të shtetit shqiptar tregon Tallavanë politike shtetërore edhe të këtyre zgjedhjeve me të njëjtit aktorë që kanë sjellë Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë pikë.