Kryeministri Edi Rama kërkon një mandat të tretë, sipas tij për të vazhduar reformën në drejtësi. Duke akuzuar Metën e Berishën si kundërshtarë të saj, ai shton se tashmë me SPAK ka nisur funksionimi i drejtësisë së re. Në prezantimin e programit ai ka bërë të ditur dhe largimin e Vasilika Hysit nga politika, vendin e së cilës në Tiranë do ta zërë Klotilda Bushka.

Në 2016 , reforma në drejtësi, me ndërhyrjet e ndërkombëtarëve, u miratua nga të gjithë deputetët e PS dhe PD.

Por sot, para zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Edi Rama kërkon ta “shesë” politikish si një arritje, vetëm e qeverisë së tij.

Madje Rama, pastrimin e mëtejshëm të drejtësisë nga të korruptuarit, e lidh me fatin e zgjedhjeve parlamentare.

Rama: Nuk jam i dërguar i Zotit në tokë, nuk jemi pa të meta dhe as një pyll pa derra. Këtë punë mund ta nIste dhe mund ta bitisë nesër vetëm një forcë politike në këtë vend, kjo e jona, PS.

Edi Rama nuk mjaftohet duke u treguar zgjedhësve vetëm forcën politike që mund ta pastrojë llumin e drejtësisë, por vendos në shënjestër Metën dhe Berishën, që sipas tij janë armiqtë e reformës.

Rama: Frymëzuesit dhe udhëheqëesit e kundërreformës janë dy të frikurit më të mëdhenj nga drejtësia janë presidenti i republikës dhe ish-presidenti më famëkeq i republikës. Ata mbështeten nga kasta e korruptuar e gjykatësve, prokurorëve të pastruar prej fshesës së vettingut apo atyre që bëjnë krime me çekiçin e drejtësisë deri kur tu vija dita e fshesës së vettingut. PD, LSI dhe KÇK-ja sot janë  tre këmbët e të keqes me dy koka presidentësh që kërcënon fatin e reformës në drejtësi.

Dhe për të goditur kundërshtarin e tij politik, taktika e tij elektorale është zhvlerësimi i rolit të Lulzim Bashës si lider të opozitës.

Rama: Basha nuk është rrezik në vetëvete as për demokercinë dhe as për drejtësinë. Por fatkeqësisht duke qenë një politikan i dobët pa karakterin e një lideri është një kukull në duart e tre xhagajdurëve që mund ta mbyllin Lulin në shtëpi me duart e vet Lulit për 30 sekonda.

Për t’i dhënë përmbajtje filozofisë së tij që kryefjalë për mandatin e tretë të PS është reforma në drejtësi, në krye të listës së Tiranës, Rama ka menduar të vendosë ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Largimi i Vasilika Hysit ishte i pritshëm brenda radhëve të socialistëve, pasi për të mbrojtur çështjet juridike mazhoranca ka menduar ta zëvendësojë me Klodilda Bushkën.

Lista e Tiranës pritet të ketë suprpiza deri me 8 mars, ku në dyshim janë emrat e dy ish-ministrave të rëndësishëm të mazhorancës.