Mungesa e transparencës për vaksinat e para anti-Covid që mnbërritën në Shqipëri, për disa ekspertë të shëndetësisë lë më shumë hapësirë për teori konspirative sa i përket besueshmërisë së këtij injeksioni.

975 dozat e para sipas Erion Dashos, janë përdorur për propagandë nga ana e qeverisë por ai vlerëson procesin e vaksinimit si një hap të rëndësishëm për përballimin e pandemisë.

Dasho: Fakti që vaksina filloi me bujë dhe shumë zhurmë të ofrohet në mjediset e një stadiumi kur numri i të vaksinuarve ditorë nuk i kalon 50-60, është një numër që mund të kryhet në një qendër shëndetësore fshati.Të gjithë këto na bëjnë të dyshojmë se vaksina ka ardhur për qëllime propagandistike.

Lidhur me variantin e ri të koronavirusit, Dasho thotë se Shqipëria nuk ka kapacitetet e nevojshme për të identifikuar raste të tilla ndërsa ngre dyshime nëse kanë mbërritur në Shqipëri të gjitha sasitë e testeve të shpejta të premtuara nga qeveria.

Dasho: Të fillojmë dhe të analizojmë strukturën gjenetike të tipeve të virusit që qarkullojnë në Shqipëri mua kjo më duket jashtë realitetit. Unë besoj që ky nëntip i virusit ka ardhur patjetër dhe në Shqipëri.

Vlerësimi i imunitetit të tufës në Shqipëri, thotë Dasho, duhet të bëhet në bazë të popullatës dhe jo regjistrit të pacientëve.

Megjithëse 10 muaj pandemi, Erion Dasho, e sheh me shqetësim hetimin epidemiologjik që po kryhet në terren.