Aktivisti Ervis Iljazaj për RTV Ora ka folur në lidhje me krizën politike që ka përfshirë vendin, ku sipas tij shkaktare është dosja 184.

Vjedhja e votave, sipas Iljazajt, duhet të hetohet nga drejtësia. Aktivisti ka vijuar më tej duke thënë se pikërisht në këtë klimë të ndërlikuar do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme.

Iljazaj: Është një ogur i keq mbyllja e asaj dosje. Nuk ka një shembull ose nuk është treguar një e vërtetë nga organet e drejtësisë ose ato ligjzbatuese se vërtetë do të luftohet vjedhja e votës. Dosja 184 është arsyeja pse Shqipëria hyri në krizë. Kriza politike në Shqipëri erdhi si pasojë e dosjes 184. Arsyja se përse opozita braktisi parlamentin dhe bëri të gjitha protestat e tjera, ishte vjedhja e votave.

Sigurisht që do të ketë një acarim në shoqëri, kur organet që bëjnë detyrën, që shërbejnë si arbitër nuk e bëjnë punën e tyre, sepse nëse do të hetohej  e plotë dosja 184, nëse drejtësia do ta bënte detyrën e saj, gjykoj që do t’ja evitonte Shqipërisë këtë krizë politike.

Kur opozita shqiptare, që e kam fjalën për gjysmën e shqiptarëve që përfaqësojnë ende derisa të zhvillohen zgjedhjet e tjera, kanë një pretendim, drejtësia gjëja e parë që duhet të bëjë është ta adresojë. Është çështja më e debatuar dhe ka futur në krizë politikën shqiptare, e cila mbyllet. Kur organet e drejtësisë nuk e bëjnë punën e tyre, këtu krijohet një klimë tensioni, një klimë e paragjykuar në kushtet e të cilës do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, sepse arbitri nuk e zgjidhi konfliktin midis palëve, mazhorancës dhe opozitës.

Intervista me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Tea Islamaj.