Dorëshkrimet e Hitlerit në ankand/ Shiten 34 mijë euro shënimet e fjalimit përpara ushtarëve në 1939-n

Dorëshkrimet e Hitlerit në ankand/ Shiten 34 mijë euro

Një grumbull shënimesh të mbajtura nxitimthi dhe çajnikët e preferuar e të etiketuar me inicialet e Adolf Hitlerit tashmë kanë përfunduar në koleksionet private.

Këto  relike të tjera të udhëheqësit nazist të njohur për gjenocidin ndaj 6 milionë hebrenjve dhe si shkaktar i Luftës së Dytë Botërore, u shitën të premten në qytetin gjerman të Mynihut.

Drejtuesi i ankandit, Bernhard Pasher, tha se ekipi është siguruar që suveniret me rëndësi të tillë historike të mos bien në duart e adhuruesve të regjimit famëkeq të dikurshëm.

Këtë shqetësim e kishin përcjellë së fundmi disa organizata hebraike në Europë.

"Këto shënime Hitleri i ka përdorur për fjalime të ndryshme dhe tregojnë ide thelbësore që ai i planifikonte me kujdes për t'i bërë fjalimet e veta sa më dramatike. Blerësve që janë ekstremistë ultradjathtistë apo neonazistë nuk u duhen këto, sepse u mjaftojnë kopjet e lira. Askush nuk shpenzon kaq shumë para për një altar me suvenire të Hitlerit, veç muzeve dhe koleksionistëve."

Një dorëshkrim i Hitlerit me 9 faqe me rastin e fjalimit përpara ushtarëve të rinj në Berlin në 1939-n, u shit të premten për 34 mijë euro, ndërsa 12,500 euro u ofruan për përshtypjet e tjera të hedhura në letër në 1935-n për sezonin dimëror të bamirësisë për partinë e tij.

Një makinë gjermane "Enigma" për informacione të koduara pritet të hidhet në shitje mbi 70 mijë euro në vijim, si edhe uniforma, dekorata e medalje të ndryshme ushtarake të ish-liderit gjerman.

Lifestyle Lajme ushtare fjalim ankand hitleri doreshkrime

EMISIONET