Donald dhe Melania Trump infektohen me Covid-19, çifti presidencial në karantinë

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe gruaja e tij, Melania, rezultuan pozitivë të premten në testin e Covidit-19 dhe po i nënshtrohen mjekimit.

74-vjeçari njoftoi fillimisht përmes rrjeteve sociale se kishin nisur karantinën në shtëpinë e tyre pas dyshimeve të para, por analizat treguan se ishin të dy bartës të koronavirusit të ri.

Hope Hicks, këshilltarja e ngushtë e presidentit e cila e shoqëron atë rregullisht në avionin e tij presidencial, u diagnostikua me infeksionin pak orë më herët.

"Jemi mirë tani. Lutemi që të tregoni kujdes edhe ju dhe ta kalojmë këtë së bashku," shkroi Zonja e Parë e Amerikës në Twitter.

Mjeku personal i presidencës shtoi se kreu i shtetit do vijojë detyrën e tij pa ndërprerje ndërsa vijon shërimin.

Këshilltarja Hicks e cila u prek po ashtu nga koronavirusi kishte ndenjur përkrah presidentit në tubimin elektoral që u mbajt ditën e mërkurë, ndërsa të martën e kishte këshilluar nga afër gjatë debatit të parë presidencial me demokratin Xho Bajden.

Ndër familjarët e tij që e shoqëronin, disa u vërejtën se nuk mbanin maska në fytyrë.

Debati tjetër presidencial është planifikuar në datën 15 tetor por nuk është e sigurt a do realizohet në kushtet e karantinimit nga pandemia.

Takimet e tjera elektorale gjithashtu janë anuluar vetëm një muaj para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Presidenti Trump në fillim e nënvlerësoi personalisht rrezikun e koronavirusit të ri, duke hezituar për muaj me radhë që të mbante maska në publik, duke u mjaftuar vetëm me distancimin fizik.

Shtetet e Bashkuara mbajnë rekordin e infeksioneve dhe të vdekjeve nga sëmundja infektive, që në vend ka prekur mbi 7 milionë e 200 mijë dhe mbi 207 veta kanë humbur jetën prej saj.

Ndërsa vaksina kundër Covidit-19 nuk pritet deri vitin e ardhshëm, presidenti Trump këmbëngul që dozat e para t'i shpërndahen publikut të gjerë brenda muajit.

Bota Lajme karantine Lajmi i fundit

EMISIONET