Në një intervistë për Ora News, mjeku Arban Domi u shpreh se ka dyshime se numrat më të lartë të të infektuarve janë në rrethe në vendin tonë.

Sipas Domit, Shqipëria duhet të ketë së paku 8-10 mijë teste në ditë.

Domi shtoi se deklarata e zv. Ministres Rakacolli ishte arrogante dhe theksoi se pushteti vendor duhet të vendosë më shumë urbanë ose ta mbyllë shërbimin.

Domi: Shqipëria duhet të ketë së paku 8-10 mijë teste në ditë. Mirë do të ishte mbi 12 mijë teste. Nëse rritet testimet do të kishte një rritje të rasteve në 4000 raste në ditë. Publiku duhet të ketë transparencë se kur ulen numrat kështu, ulet edhe vëmendja. Publikut duhet t’i bëhet e qartë se rreziku është po ai ose është shtuar me mutacionet e reja. Pse ka ndryshime të numrit të testimeve ditore? Kur jepen testimet dhe rastet pozitive, duhet që të ndahen për çdo qark, sepse dyshimet e mia janë që ka një përhapje të virusit më të madh jashtë Tiranës. Për mua është e papranueshme nga ajo që tha  një mjek nga spital i Durrësit, që i kanë vajtuar vetëm 20 tampone në ditë. Kjo është e papranueshme. Sot janë të pajustifikueshme numrat kaq të ulta të testeve, të cilat nuk janë të vështirë për tu gjetur.

Pa pasur teste nuk mund të fitohet lufta me pandeminë. Me gjithë respektin që kam për doktoreshën, ajo ishte një arrogancë duke pasur parasysh situatën e sotme. Ka nga ata që e marrin për qejf urbanin dhe ka nga ata që e marrin për punë. Orën e fillimit të punës nuk e përcakton qytetari. Pushteti lokal ka për detyrë që të sigurojë kushtet e duhura, duke rritur numrin e autobuzëve dhe zbatimin e masave, ose t’i mbyllë nëse nuk e bën këtë. Flitet për lokalet e mbyllura, por për verandat sipas studimeve, infektiviteti në këto ambiente, me distancë është vetëm 2% në raport me rritjen e infektivitetit.