Për shkak të temperaturës dhe të lodhjes së vazhdueshme, presidenti amerikan Donald Trump u dërgua të premten vonë, 2 tetor, në qendrën spitalore ushtarake “Walter Reed” pranë Uashingtonit, ndërsa më herët rezultoi pozitiv me koronavirus.

Nga pamjet e shpërndara presidenti Trump u pa duke hyrë në këmbë në helikopterin e tij Marine One dhe brenda pak minutash arriti në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed.

Shtëpia e Bardhë njoftoi më herët se Trump do të kalojë disa ditë në spital, pavarësisht se ai është në gjendje të qëndrueshme e me simptoma të lehta. Por mjekët vlerësojnë se mosha dhe pesha janë faktorë që e rrezikojnë presidentin amerikan nga COVID-19.

Sipas rezultateve të analizave të tij më të fundit, presidenti është 1.9 metra i gjatë dhe peshon thuajse 111 kg. Sipas këtyre shifrave, ai konsiderohet mbipeshë i kategorisë obez. Kjo e trefishon rrezikun për shtrim në spital, sipas Qendrës Për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Para nisjes, presidenti regjistroi një mesazh të shkurtër që e postoi në llogarinë e tij në Twitter ku falënderon dashamirësit e tij.

“Jam shumë mirë. Por po shkoj në spitalin Walter Reed për të garantuar që kjo gjë të përfundojë “. Presidenti shprehet mirënjohës për mbështetjen dhe nuk do ta harrojë kurrë.

Më herët të premten, mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë për shtyp se Trump “vazhdon të jetë i këputur, por me humor të mirë”. Para dërgimit në spital atij iu injektuan një përzierje medikamentesh eksperimentale.

Infektimi i presidentit Trump vjen vetëm një muaj para zgjedhjeve ku ai përballet me ish-nënpresidentin Joe Biden, i cili kryeson në anketat kombëtare.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se tubimet e presidentit do të ndërpriten për të paktën 10 ditë.

Presidenti Trump, i cili për muaj me radhë kishte minimizuar seriozitetin e koronavirusit, të enjten në mbrëmje konfirmoi gjatë një interviste telefonike në Fox News se ai dhe zonja e parë ishin testuar pasi një nga ndihmëset e tij, Hope Hicks, rezultoi e infektuar.