"Doktor Pipero është mirë", Rakacolli: Infektimi pas dozës së parë të vaksinës mund të ndodhë

"Doktor Pipero është mirë", Rakacolli: Infektimi pas

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli për gazetaren Matilda Mcini në Ora News ka thënë me bindje se do të sigurohet doza e dytë e vaksinimit për bluzat e bardha.

Sipas Rakacollit, procesi i vaksinimit po vazhdon ashtu siç është parashikuar në kalendarin e vaksinimit, ndërkohë që nuk ka bërë me dije se sa doza kanë mbërritur për momentin në Shqipëri.

Rakacolli: Sot vazhdojnë të arrijnë dozat e para që janë kuadër të marrëveshjes për ato 500 mijë doza që ne kemi bërë me Pfizer. Jo vetëm që është e sigurtë doza e dytë për bluzat e bardha. Sot përfundon mbërritja e tyre. Padyshim që vazhdon vaksinimi i dozës së dytë për bluzat e bardha, por njëkohësisht vazhdon vaksinimi edhe me dozat e para, sipas kalendarit të përcaktuar të vaksinimit.

Procesi i vaksinimit është një proces që nuk është ndalur.

Sa doza kanë mbërritur?

Rakacolli: Nuk e kam shifrën e saktë se sa doza kanë mbërritur, por dua t’i jap siguri qytetarëve që procesi i vaksinimit është një proces që po vazhdon dhe që do të vazhdojë ashtu siç është parashikuar, sepse ne jemi përpjekur që të marrim të gjitha masat që të mund t’i kemi në Shqipëri ato doza për të cilat kemi bërë marrëveshjen dhe që po vazhdojmë të bëjmë marrëveshjen edhe për dozat e tjera.

E pyetur për infektimin e mjekut Pëllumb Pipero pas vaksinimit, Rakacolli ka thënë se ai është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që e ka përshkruar rastin e tij si normal.

Rakacolli: Doktor Pëllumbi është infektuar, por është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Infektimi i tij pasi ka bërë dozën e parë të vaksinës nuk është rasti i shkëputur nga historia e vaksinimit mbarëbotërore. Nuk është një proces i papritshëm ose i painterpretueshëm elektronikisht. Është diçka që mund t’i ndodhë kujtdo që bën dozën e parë të vaksinës dhe që është një shembull konkret i asaj që themi vazhdimisht, pra që edhe pasi ke bërë dozën e parë të vaksinës, duhet të vazhdosh të ruhesh njësoj dhe ti marrësh njësoj masat e përkujdesjes si edhe më parë. Pas dozës së parë të vaksinës ka reaksione individuale ndaj vaksinës. Vetë vaksina fillon ti zhvillojë antitrupat më vonë.

Përshtati për online Tea Islamaj.

Vendi Lajme mira rakacolli vaksina anticovid pellumb pipero Aktualitet

EMISIONET