Pasi mbylli betejën e vetë elektorale ne Kosovë dhe pret të marrë detyrën e kryeministrit, Albin Kurti, ka nisur fushatën në Tiranë.

Ai vizitoi zyrat e Vetëvendosjes në kryeqytet, ndërsa nuk nguroi ti kërkojë qytetarëve shqiptarë të votojnë kandidatët e mbështetur nga kjo forcë politike.

“Për Bojkenin mund të them që është një aktivist i pathyeshëm, është një qytetar i pakorruptuar dhe është një njeri i pakorruptueshëm. Shqiptarët kanë nevojë për ndryshime edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.”

Kosova ka zgjedhur ndryshimin, tha Kurti, e këtë rrugë sipas tij duhet ta zgjedh edhe Shqipëria.

“Kemi nevojë për çlirim se kudo që janë shqiptarët ka shumë shtypje e shfrytëzim. Kemi nevojë për bashkim, sepse jemi të ndarë në mënyrë jodemokratike nga të tjerët. Kemi nevojë për përparim, sepse kemi mbetur prapa. Jemi si Kosova dhe Shqipëria vendet më të prapambetura në Europë.”

Gjatë qëndrimit në tiranë kreu I vetëvendosjes, u takua me Presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha.

Kreu I shtetit Meta njoftoi se ka diskutuar me liderin e Vetëvendosjes mbi forcimin e marrëdhënies mes Shqipërisë e Kosovës për të përshpejtuar proceset e integrimit.

Në anën tjetër, kreu I PD-së Lulzim Basha theksoi se me fitoren e tij në zgjedhjet e 25 prillit, do bëjë gjithçka për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës nga vende që ende nuk e kanë bërë këtë veprim.

Një ditë më parë Albin Kurti ishte në Lezhë, të mërkurën do të qëndrojë në Tiranë dhe të enjten do të jetë në Gjirokastër.

Këto takimi ai po i zhvillon në mbështetje të kandidatëve të Vetëvendosjes, ndërsa tha se edhe 25 prill do të jetë në Tiranë për të votuar, pasi kjo e drejtë i lind për shkak të pasaportës shqiptare që ai mban.

“Qarku i Tiranës duhet të votojë Bojken Abazin. Qarku i Lezhës do të votojë Iljaz Shehun. Gjirokastra duhet të votojë Kreshnik Mergjanin. Unë do të votoj më 25 prill.”

I pyetur për marrëdhënien me kryeministrin Edi Rama, ai dha këtë përgjigje:

“Do të kem marrëdhëniet më të mira që ka pasur ndonjë kryeministër me Tiranën zyrtare në Kosovën e pasluftës.”