Policia e Gramshit ka parandaluar përshkallëzimin e një rasti të dhunës në familje.

Uniformat blu kanë arrestuar në flagrancë në 60-vjeçar që dhunonte bashkëshorten e tij, ndërsa i është sekuestruar edhe një armë zjarri automatik dhe 1400 fishekë.

Ka qenë bashkëshortja e 60-vjeçarit ajo që ka njoftuar policinë me frikën se “burri do e vriste”.

Njoftimi i Policisë Gramsh:

Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një rasti të dhunës në familje.

Falë reagimit në kohë të Policisë është bërë arrestimi në flagrancë i 60-vjeçarit që dhunonte bashkëshorten e  tij.

Sekuestrohet një armë zjarri automatik dhe 1400 fishekë.

Në sallën Operative të Komisariatit të Policisë Gramsh ka ardhur një telefonatë nga një shtetase që jetonte në fshatin Zgjup, Gramsh, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj dhe ajo ndihej e frikësuar se mund ta vriste, pasi në banesë kishte dhe armë zjarri.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë dhe punës profesionale është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të ngjarjes, duke arrestuar në flagrancë shtetasin R. D., 60 vjeç, banues në fshatin Zgjup, Gramsh.

Gjatë kontrollit në banesë këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, një armë zjarri automatik dhe 1400 fishekë,  që i dispononte pa leje.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.