Masat shtrënguese kanë kufizuar qytetarët për të festuar festat e fundvitit pasi dhe policia ka shtuar kontrollet për zbatimin e tyre. Në terren blutë kanë nisur kontrollet për tregtimin e fishekzjarrëve dhe kapsollave, ndërsa tregtarët shprehen se janë ndër më të kërkuarat nga qytetarët pavarësisht se ndalohen.

Për shkak të situatës së pandemisë policia e shtetit ka kaluar në shërbim të përforcuar për të monitoruar zbatimin e masave anti covid

Pavarësisht festave gjithë shërbimet policore do jenë në terren për zbatimin e kufizimeve të vendosura nga komiteti i ekspertëve, identifikimin e shkelësve, si dhe mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë.

Pothuajse gjithë efektivët e policisë rrugore janë planizuar në rrugë për të koordinuar qarkullimin e shtuar gjatë ditëve të festave.

Policisë së rendit i është caktuar një tjetër detyrë për kontrollin e tregjeve lidhur me tregtimin lëndëve plasëse dhe fishekzjarrëve. Blutë kanë nisur procedimet e para të pronarëve të dyqaneve që shesin kundër ligjit fishekzjarrët dhe shashkat.

Rasti më i fundit u regjistrua këtë të premte në Dibër ku dy biznesmenëve iu gjetën 70 pako kapsolla të cilat u sekuestruan. Burime nga policia bëjnë me dije se dy pronarët u proceduan penalisht  për tregimin e lëndëve piroteknike.

Por pavarësisht kontrolleve të policisë tregtarët shprehen se fishekzjarret janë nga mjetet më të kërkuara nga qytetarët përgjatë ditëve festive.

Tregtarët: Kërkojnë posi jo, po ne nuk kemi. Ajo tregon festën, tani është viti i ri, për festa asgjë tjetër

Një tjetër drejtim ku është fokusuar policia përgjatë festave është dhe parandalimi i ngjarjeve kriminale, ku ata janë planizuar sipas zonave për të identifikuar eksponentët kriminal.