Policia e Tiranës ka ndëshkuar me 1 milion lekë gjobë pronarin e lokalit ku aktori Bes Kallaku festoi ditëlindjen e tij të 35-të. Krahas tij blutë kanë ndëshkuar me gjobë nga 10 mijë lekë 30 pjesëmarrësit të cilët nuk kanë respektuar ndalimin e grumbullimit në më shumë se 10 persona. Ditëlindja e aktorit u ka kushtuar shtrenjtë dhe 6 efektiveve të policisë të cilët janë pezulluar nga detyra për mos kontroll të territorit.

Organizimi i ditëlindjes me 30 të ftuar nga aktori Bes Kallaku i ka kushtuar 1 milion lekë gjobë administratorit të lokalit, dhe pezullimin nga puna të 6 punonjësve të policisë.

Ndëshkimi është dhënë nga policia e Tiranës pas festës së mbajtur në një lokal në fshatin Laknas më 20 nëntor me rastin e 35-vjetorit të aktorit Kallaku.

Blutë e kryeqytetit shprehen se kanë ndëshkuar me gjobë dhe të gjithë personat që kanë qenë të pjesëmarrës në aktivitetin e zhvilluar të cilët kanë kryer shkelje të masave kufizuese anti-Covid 19.

Mes të pranishmëve ishin dhe Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, të cilët u ndëshkuan me gjobë nga 10 mijë lekë, pasi sipas policisë kanë marrë pjesë në grumbullim në më shumë se 10 persona.

Me gjobë prej 10 mijë lekësh është ndëshkuar dhe kryebashkiaku i Kolonjës Erion Isai, i cili po ashtu ishte pjesë e festës.

Duke qenë se orari i festës ka qenë ora 16 deri në orën 19, efektivët kanë ndëshkuar pjesëmarrësit vetëm me gjobën për pjesëmarrje në grumbullim.

Ky është rasti i dytë ku punonjës policie pezullohen nga detyra për për moskryerje të kontrollit të territorit, që prej nisjes së pandemisë në muajin mars.

4 punonjës të tjerë u pezulluan në muajin gusht pasi lejuan të mbahet një dasmë në Koplik të Malësisë së Madhe.

Krahas moskryerjes së kontrollit efektivët morën pjesë në dasmë, duke kërcyer me uniformën e punës.

LEXO EDHE: Brenda festës së Bes Kallakut, momenti kur Monika Kryemadhi kërcen vallen popullore

LEXO EDHE: Ajka e vogël një mesazh surprizë për babi Besin, ja videoja që përloti artistin