Me dhjetëra skulptura në formë kafke kanë mbushur rrugët e qytetit të Meksikos, teksa vendi bëhet gati të festojë “Ditën e të vdekurve”, në fillim të muajit nëntor. Me këtë rast, kryeqyteti meksikan mban një paradë në kujtim të emigrantëve që humbën jetën në kufirin mes Meksikës dhe ShBA-së.

Pesëdhjetë kafka të mëdha janë vendosur përgjatë rrugëve të Meksikos, si pjesë e një ekspozite të drejtuar nga “Mexicraneos”. Ky është viti I katërt I organizimit të ekspozitës, dhe grupi synon që ngjarja të bëhet pjesë e festave tradicionale, e që ngadalë po shndërrohet në një festë publike për të nderuar të vdekurit më 2 nëntor.

 “Dita e të vdekurve” është një traditë prehispanike, në të cilën familjet kujtojnë të vdekurit dhe festojnë vazhdimësinë e jetës. 1 nëntori iu rezervohet fëmijëve që kthehen nga jeta e përtejme, ndërsa 2 nëntori të rriturve. Festimet e “ditës së të vdekurve” në Meksikë konsiderohen një trashëgimi kulturore nga UNESCO, e gjatë këtyre ditëve turistët e huaj janë të shumtë. Por këtë vit festa pritet të jetë e vakët për shkak të kufizimeve të pandemisë.